Zbardhet dëshmia e gjyqtarit Skënder Damini të shoqëruar nga policia dhe më pas të liruar pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij dhe dy kolegëve që dhanë vendimin për Dritan Dajtin.
Ka qenë avokati i tij që ka rrëfyer dëshminë e Daminit pas shoqërimit. Mësohet se gjyqtari ka thënë se paratë e gjetura në banesë janë të djalit të tij dhe disponon dhe dokumentacionin e tyre.
“Gjyqtari ka firmosur si të ligjshëm kontrollin e banesës meqenëse ishte me urdhër gjykate”, tha avokati i tij.
Për sa i përket vendimit për Dritan Dajtin, gjyqtari ka marrë gjithë përgjegjësinë.
“Paratë e gjetura janë të djalit dhe disponoj të gjithë dokumentacion e tyre. Ndërsa 8 fishekët e gjetur janë të pistoletës që e mbaja deri para pak kohësh sipas ligjit dhe e kam dorëzuar. Lidhur me vendimin për të akuzuarin, ka qenë bindja ime personale nga leximi i dosjes”, ka dëshmuar gjyqtari Damini.
Policia deklaroi se nga kontrollet janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese.
(m.k/BalkanWeb)