Osman Sakurti
Me ndalimin e fesë me ligj në vitin 1967, ku dhe u shembën dhe u shkatërruan objektet e kultit të të gjitha feve besimtarët muslimanë kanë përjetuar vështirësi të mëdha për praktikimin e fesë qoftë dhe fshehurazi.
Për sa i përket agjërimit sa herë kuptohej që ishte futur Ramazani besimtarët provokoheshin nga komunistët për të kuptuar se agjëronin apo jo. Ata ftoheshin, por edhe detyroheshin në plot raste të hanin diçka. Propaganda ishte e vazhdueshme për ta bërë agjërimin si diçka të shkuar dhe kushdo që agjëronte duhej ta ndërpriste.
Në shtëpitë tona fillimisht, që në kohën e syfyrit e kishim të vështirë të çoheshim natën, sepse kur ndizje dritën në kohën e syfyrit nga jashtë drita jepte shenjën se dikush është çuar për të ngrënë syfyr, dhe menjëherë vinin vërejtjet dhe pyetjet nëpërmjet të cilave komunistët interesoheshin, se a janë çuar këta njerëz për të agjëruar apo jo. Problem ishin dhe komshitë, të cilët të ndikuar thellë nga ideologjia komuniste spiunonin. Për ta kaluar këtë problem i mbulonim dritaret me perde të errëta, që të mos depërtonte drita jashtë dritares, por edhe në hapësirën e vogël për ajrosje poshtë derës vendosnim një batanije, që të mos përçohej drita e llampës jashtë dhe ashtu hanim syfyrin me frikë mos diktoheshim.
Edhe kur shkonim në punë na shikonin me vëmendje se a do hanim drekë nga ushqimet që merrnim me vete si shumica e punëtorëve apo jo. Për ta tejkaluar këtë problem isha i detyruar të mos merrja bukë me vete për gjatë gjithë vitit, që të mos binim në sy gjatë muajit të Ramazanit pse nuk haja me të tjerët. Kur më pyesnin u thoja: Nuk më hahet.
Problem ka qenë dhe çështja e kohës së futjes së Ramazanit dhe kohëve të syfyrit dhe iftarit, sepse duhej të lajmëronim me kujdes njerëzit që kishin dëshirë të agjëronin e të mos merrej vesh. Duke qenë se nuk kishim asnjë komunikim me botën arabe dhe islame, shpesh herë e merrnim vesh futjen e ramazanit nga lajmet e radios te Zëri i Amerikës, ku lajmëronte për muslimanët futjen e muajit të Ramazanit dhe oraret. Pastaj bashkë me Muhamed Xhumrin përgatisnim kalendaret e ramazanit në formë fletushkash, i shumëfishonim dhe ua jepnim besimtarëve, të cilët ishin të interesuar të agjëronin.
Haxhi Osman Sakurti– Ish-myftiu i qytetit të Durrësit pas rënies së komunizmit 1991.
Dëshmia u mor nga hoxhë Mustafa Tërniqi