Nga: Alpin Ollogu
Deklarim i rremë me vetëdije, është përkufizim thelbësor i dëshmisë së rrejshme. Karakter i shpirtrave të sëmurë, infektuar me vesin e lakmisë, egoizmit, mashtruesit të pangopur dhe paaftë të frymojë në natyrshmërinë e pastër njerëzore. Një gamë e gjerë e dëshmive të rrejshme legjitimohet brenda sistemeve të mykta juridike. Si kategori me e kobshme, dëmsjellëse, është pa dyshim ajo para organeve të drejtësisë, gjykatës, hetuesisë apo prokurorisë, veçanërisht në shtete të dobëta ligjore si Republika e Maqedonisë se Veriut, ku dëshmuesit e rrejshëm kalojnë para dyerve të drejtësisë dhe mbesin të padënuar penalisht, madje, kur e do interesi korruptiv, gjendja faktike dhe aktgjykimet bazohen mbi dëshmi të rrejshme. Edhe atëherë kur gënjeshtra është si mal i madh përpara syve të gjykatave të blera dhe paafta, kur e vërteta shfaqet nga të gjitha anët, megjithatë kalbësia e sistemit gjyqesor në bashkëpunim me shpirterat makutë të palëve në një proces gjyqësor, e japin shfaqen e madhe të mashtrimit dhe natyrës më të shpifur njerëzore.
Individët e dëshmive të rrejshme, pavarësisht paturpësisë karakterizuese të personalitetit, e ndiejnë në veten e tyre, përceptojnë të vërtetën e opinionit që ka shoqëria (veçanërisht shoqëritë e qyteteve me popullsi të vogël, siç është qyteti i Dibrës së Madhe) për personalitetin e tyre miskin, sado që pë një kohë, mashtruesit e këtyre dëshmive mund të hutohen në verbërinë e shkëlqimin pasuror dhe pozitës, ata nuk mund ti ikin faktit të gjykimit nga opinioni, të cilin fakt Zoti e ka ngritur si argument besimi në fjalën e Tij, në damkosjen e mashtruesve që në jetën e kësaj bote sprovuese.
Profeti i dashur i Zotit, më i madhi i profetëve, Muhamedi a.s, na ka treguar se dëshmia e rrejshme kategorizohet në një prej tre mëkateve më të mëdha që mund të bëjë njeriu në tokë. Turpërimi është ky hapi i parë i dënimit që ngrejnë ndaj vetes dëshmuesit e rrejshëm, është vula e fytyrës së padinjitetit, sado të mësuar të jetojnë me turpin, ajo rrëndon në vazhdimësinë e tyre, në skutat e tyre më të errëta shpirtërore. Vazhduar dhe rrënduar ky padinjitet me pasojat e mundëshme ligjoro – penale, për tu konkretizuar pasoja e dëshmisë së rrejshme te llogaria përfundimtare, e drejtë dhe e dhimbshme që Zoti sanksionon për dëshmuesit e rrejshëm në Ditën e Llogarisë, e gjykimit të pashmangshëm Hyjnor.
Se sa është pesha e dëshmisë, apo siç quhet ndryshe, shpirti i të drejtave, na paralajmëron Zoti i madhërishëm në një citat në Kuranin Fisnik, i cili citat është vendosur edhe në hyrjen e biblotekës së Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Hardvardit të SHBA-së. Ёshtë pikërisht kjo bibloteka më e madhe e drejtësisë në botë, që citatin e ka radhitur tek shprehjet më të mëdha të drejtësisë në historinë njerëzore, atë që thotë Allahu në Kuran, në surën EN-Nisa: “O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut, edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse Allahu di më mirë për ta. Mos ndiqni pra emocinonin e t`i shmangeni drejtësisë. Nëse shtrembëroni ose tërhiqeni, Allahu hollësisht di ç`ka punoni”.
Shikuar në të drejtën pozitive, legjislacioni jonë për dëshminë e rrejshme mbi të cilën ngritet vërtetimi i gjendjes faktike dhe aktgjykimi I lëndëve, e sanskionon atë si vepër penale deri në 3 vite burg. Përgjegjës penale të kësaj vepre në një proces gjyqësor mund të jetë: dëshmitari; eksperti; përkthyesi – interpretuesi; prokurori publik; noteri; përmbaruesi; organi i administratës, apo organ tjetër që sjell vendime. Kurse në procedurën penale, sanksionet për dhënien e dëshmisë së rrejshme shkojnë deri në 20 viet burg apo dënim të përjetshëm.
Ndërsa në shumë shtete perëndimore, si ato të SHBA-ve, vepra penale “dëshmi e rrejshme”, sanksionohet edhe me dënim kapital – vdekje. Mos flasim pastaj për sankionet sheriatike të dëshmisë së rrejshme, të cilat janë shumë të ashpra, duke marrë parasysh peshën e madhe të mëkatit që përfaqson dëshmia e dhënë para organeve të drejtësisë – gjykatësit.
Ndikimet politike dhe aferat korruptive në gjykata, po dëshmohen vazhdimisht nga skandali i përgjimeve, se si gjykatësit sjellin aktgjykime sipas orekseve politike dhe ndikimit korruptiv. Në këtë logjikë, evitimi apo eliminimi i dëshmive të rrejshme në gjykata, lind nevojën e patjetërsueshme të sistemit të drejtësisë, me një mekanizmin të vetëm dhe efikas të vetingut të prokurorëve dhe gjykatësve, veting i monitoruar dhe asistuar nga faktori ndërkombëtar, si rruga e vetme për të pastruar gjyqësorin nga kalbësirat e atyre që ndajnë drejtësi.
Njëkohësisht me vetingun në drejtësi, vendosen shtyllat e drejtësisë së shëndoshe të së nesërmes, ku dëshmuesit e rrejshëm do ta kenë të vështirë të kalojnë pa ndëshkim, e aq më pak, dëshmia e dëshmitareve të shpifur të meret si argument i vërtetimit të gjendjes faktike dhe përpilimit të aktgjykimeve. Njëkohësisht, aty ku do të ketë shkarkime të gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijohet hapësirë ligjore për rigjykimin e lëndëve të tyre korruptive dhe të montura, që dëshmia e rrejshme e dhënë para gjykatës, të ngjitet në piedestalin e meritur në epilogun gjyqësor, për një drejtësi të mirëfilltë konform ligjit dhe moralit më minimal njerëzor.