(Përditësuar, ora 10:27)- Dëshmitari i tetë (me kodin 04323) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka folur për Gardën Kombëtare, duke thënë se nuk kishte informacion të saktë se kur është formuar kjo gardë.
‘‘Nuk kom pas informacion kur, por pas përfundimit të luftës më kanë caktu në këtë njësit, kur është formu, është formu para luftës apo pas luftës nuk kam pas informacion”, tha ai.
Këtë deklarim, dëshmitari i tetë e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së specializuar, Silvia D’Ascoli, kur u pyet se kur është krijuar Garda Kombëtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, detyrë e tyre ishte sigurimi i shtabit të zonës operative që ka ekzistuar në atë kohë, duke shtuar se nuk kanë pasur ndonjë detyrë tjetër të caktuar për arsye se sipas dëshmitarit, kishte filluar procesi transferimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në një forcë civile- mbrojtëse.
Tutje, ai tha se komandant i njësitit të Gardës Kombëtare ishte personi me numër 5 dhe me sa i kujtohet ky njësit ka raportuar direkt në Zonën Operative të Llapit, shtabit të zonës.
Seanca po vazhdon në sesion privat.
ZPS vazhdon edhe sot ta marrë në pyetje dëshmitarin e tetë në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), po vazhdon edhe të martën ta marrë në pyetje dëshmitarin e tetë (me kodin 04323).
Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi, kurse Krasniqi është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me të filluar marrjen në pyetje, është kaluar në sesion privat me kërkesë të Prokurorisë.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.