Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Lirim Mustafa, avokatit Arsim Bilalli ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tij dhe noterit, Sinan Visoka.
Për mungesën të avokatit Bilalli kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Sulltane Hoti tha se avokati ka dërguar email duke sqaruar se është i angazhuar në një seancë tjetër pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancë përpos avokatit Bilalli munguan edhe të dëmtuarit Blerim, Azem, Skendere dhe Naxhie Mustafa.
Ndërkaq, prezent ishin të akuzuarit Lirim Mustafa dhe Sinan Visoka me mbrojtësin e tij avokati Halit Shaljani, pala e dëmtuar R.M dhe G.M me përfaqësuesen avokaten Saranda Keqekolla-Rugova, prokurorja Dulina Hamiti, dëshmitari Armend Mustafa.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca e së hënës ka dështuar duke u caktuar e radhës me 17 korrik 2023.
Ky proces gjyqësor ka qenë duke u gjykuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni por pasi e njëjta ka arritur pensionimin lënda tashmë ka kaluar tek gjykatësja Hoti.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka akuzohet se në cilësinë e noterit më 15 shkurt 2016, në zyrën e tij në rrugën “Lordi Bajron”, në Podujevë, kishte përpiluar aktvendim mbi shqyrtimin e trashëgimisë pa prezencën e trashëgimtarëve ligjorë G. M, B.M, S.M, A.M, R.M dhe N.D, të trashëgimlënësit R.M.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Visoka kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit R.M për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjore të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.
Ndërsa, i akuzuari Lirim Mustafa thuhet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.
Pas këtyre, dy të akuzuarit më 15 shkurt 2016, e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Prishtinës, e cila e kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin e kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarit Lirim Mustafa, ku paluajtshmëria në sipërfaqe prej 993 m2, kishte kaluar në emër të tij.
Për këto veprime, Visoka po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “Mashtrimi”. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.