Është mbajtur në Prishtinë festivali ndëretnik me qëllim promovimin e kulturave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u shpalosën elemente kulturore dhe tradicionale të cilat identifikojnë apo përfaqësojnë komunitetin boshnjak, turk, rom, ashkali dhe egjiptian, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Artiola Babuni, menaxhere e projektit i cili u implementua nga KosovaLive, tha se përmes këtij festivali synohet njohja nga afër e kulturave dhe traditave të njëri-tjetrit. Babuni tha se qëllimi i projektit është ndërtimi i besimit tek tjetri.
“Çfarë kemi dashur të tregojmë është t’i njoftojmë qytetarët për veshjet, kulturat dhe traditat që secili prej komuniteteve në Kosovë i përfaqëson dhe kemi menduar që më së miri është vetë pjesëmarrësit të cilët vijnë prej të gjitha komuniteteve në projekt të vijnë dhe t’i prezantojnë ato me të cilat identifikohet tradita dhe kultura e tyre”, theksoi Babuni.
Hana Kaja, vullnetare nga komuniteti boshnjak, tha se të rinjtë mësuan për diskriminimin gjatë projektit, duke theksuar se faza e parë e projektit është mbajtur në shkollat e Prizrenit, ndërsa e dyta është organizuar në Fushë Kosovë dhe Gjakovë.
“Ne kemi realizuar disa projekte në shkolla ku kemi treguar dhe kemi përcjellë mesazhin se ne nga komunitetet sado të ndryshëm të jemi, jemi njësoj”, tha Kaja.
Në festivalin ku pati stoli, ushqime, veshje, muzikë, instrumente e të tjera, tullumbat dhe muzika u përzgjodhën si elemente identifikuese të komunitetit turk në Kosovë.
“Festivali ndëretnik”, u organizua në kuadër të projektit Vaksinim kundër diskriminimit i financuar nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)./FolDrejt/