Një vajzë ka raportuar në Policinë e Kosovës se para dy ditëve është dhunuar nga pesë persona të panjohur në Prishtinë.
Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të panjohur, për të cilin thuhet se pas intervistimit të vendimit të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj për portalin rtv21.tv ka thënë se një nga personat e arrestuar është i mitur.
“Ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar, personi madhor është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa i mituri në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi””, ka thënë Ulaj.
Ulaj ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
Ajo, po ashtu ka thënë se për rastin në fjalë janë duke u ndërmarrur të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.
“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka thënë Ulaj./21Media/