Policia e Kosovës ka njoftuar se dyshimet që ndërlidheshin me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ka rezultuar të jetë i rrejshëm.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe, Policia e Kosovës rreth orës 12:00 pranoi informata për dyshime që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Flora Ahmeti ka thënë se informacionet e para flisnin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti.
Kujtojmë se edhe ditë më parë ishte dhënë një alarm për bombë, por që i njëjti më vonë kishte rezultuar i rrejshëm. /Telegrafi/