Shpesh diaspora e Dibrës e ka të vështirë të vijë në Dibër, veçanërisht kur ata qëndrojnë pas disa dekadash larg vendit të origjinës. Kanë ndryshuar shoqëri, punë, mentalitet dhe shpesh e kanë të vështirë të përshtaten me të renë që sjell koha. Kjo bëhet edhe më e vështirë për fëmijët e dibranëve që kanë lindur në ‘vend të huaj’.
Nga Fitim Dika
Gjithsesi, tani që është koha e ardhjes së frymëmarrjes së qytetit, siç i quajmë ne rëndom vëllezërit në SHBA dhe Europë, po mundohemi të rëndësim dhjetë arsye për të qëndruar sëpaku dhjetë ditë në Dibër, pasi edhe ata që vinë në vendlindje, shpesh pushimet i kalojnë në qytetet tjera si Strugë ose rivierën e Shqipërisë.
1. Liqeni i Dibrës
Pasi ke parë farefisin më të afërt, takimi me miqtë do ishte ideale sikur të kalohej në kafeteritë e liqenit të Dibrës: Cami, Drilon, Perla, Dema.
Aty shijon kafja e mëngjesit, por edhe mbrëmja që çdo herë jep freski, qoftë edhe pas një dite zhegu.
Mund të lundroni edhe në liqen ose të kryeni Camping, gjithmonë nëse keni dëshirë shtesë për liqenin.
2. Rosok, Lazaropole, Gari
Me një veturë modeste, pas mëngjesit dhe kafes në qendër të qytetit, mund të niseni në një udhëtim ditor shumë të këndshëm gjelbëror.
Udhëtoni nga Dibra drejt fshatit Rosok ku lehtë mund të shikoni ujin me të cilin furnizohet qyteti i origjinës suaj, nga aty mund të niseni me një kthim disa kilometra drejt Lazaropoles ku gjatë verës ju mirëpret një hotel me furnizime modeste për të kaluar drekën.
Në kthim mund të ndaloni për një darkë më të bollshme në restorantin e Garit, që ndodhet në fund të fshatit ose edhe pranë Urës së Drerit, për të shijuar një peshk te restoranti i hapur kohëve të fundit.
Në këtë udhëtim mund të shijoni larjen në Lumin e Vogël, që për disa miq tanë ka rezultuar tepër i suksesshëm në shërimin e reumantizmit.
3. Mavrovë, Galicnik, Ujëvara e Dufit
Një ditë tjetër mund të udhëtoni pak më gjatë, por edhe me një lartësi mbidetare më të lartë. Nga Dibra niseni drejt Liqenit të Mavrovës, ku kafeteritë buzë liqenit të japin mundësinë për të shijuar mëngjesin/drekën dhe kafen njëkohësisht, kurse më pas drejt gjarpërimit të rrugës me asfalt të niseni drejt Galiçnikut piktoresk që gjatë verës ka plot restorante që shërbëjnë djath cilësor dhe disa ushqime tradicionale maqedonase.
Në Galiçnik mund të ndaloni në kafenë Neda.
Në këtë udhëtim është mirë të ndalohet edhe të Ujëvara e Dufit, që ndodhet në fshatin Rostushë dhe ka një ecje prej 1km+1km dhe të ofron pamjen e një mjedisi të shkëlqyer.
Në rast se keni veturë 4×4 mund të ktheni nga Galiçniku drejt Selcës dhe më pas drejt Dibrës ose në rast se dëshironi mund të bëni një shëtitje malore rreth e qark Galiçnikut.
4. Fshatrat turq të Qendër Zhupës.
Në anën jugore të Dibrës, ndodhen disa fshatra të ndryshëm nga fshatrat tjerë, pasi ata flasin turqisht dhe pranojnë origjinën e lashtë turke.
Nga Dibra përmes rrugës që të dërgon në Strugë, merrni majtas te hidrocentrali i Gllobocicës, pikërisht aty ku një tabelë e shtrembër shkruan për vendodhjen e Shtëpisë Muze të Gjyshërve të Ataturkut.
Në të tatëpjetën gjithmonë me asfalt, shikoni bukuri të rralla natyrore dhe plot çeshma me ujë të freskët rrugës. Mund të ndaloni si fillim në fshatin Elga ose direkt në Novak e Koxhaxhik, ku me raste punojnë kafeteritë më baklava dhe kafe turke. Komunikimi shpesh është i vështirë pasi në të dyja fshatrat mezi flasin gjuhë tjetër përveç turqishtes.
Nga Koxhaxhiku i Ataturkut dhe Kalasë së Sfetigradit, mund të vijoni drejt Qendër Zhupës, ku restoranti Atmir mund tju ofrojë një drekë me pleskavica ose stek pule.
Prej aty, nga Ballanca ktheheni në Dibër, ku liqeni i saj ju shoqëron vazhdimisht.
5. Broshticën
Ndonjë ditë tjetër mund të vizitoni fshatin e lartë të Dibrës Broshticë, që përveç një kafe të lodhur në qendër të fshatit, ka edhe plot lëndina ku mund të ndaloni për një piknik në mes të rrugës nga Dibra drejt Broshticës.
Në rast se dëshironi një ngjitjë te lehtë malore, mund të parkoni veturën në shkollën e Broshticës dhe të niseni me këmbë drejt Antenave të malit Stogovë.
6. Elevcën
Vend i këndshëm për Piknik është edhe fshati i pasur me ujë: Elevca. Poashtu në këtë fshat mund të kryeni një ngjitje malore drejt “Tabllës” ku shpesh anash rrugëve keni dredhëza të egra ose të shkoni me taksi dhe më pas me këmbë të shkoni nga Elevca drejt Kosovrastit të Epërm.
Sidoqëtëjetë, edhe qëndrimi gjatë gjithë ditës në Elevcë, është një ditë e shfrytëzuar mirë.
7. Banjat e Dibrës
Nuk duhet të largohet nga Dibra pa parë burimet termale të Kosovrastit dhe Banjishtit, kurse në Banjisht përveç Banjave mund të shijoni edhe një ecejake të lehtë rreth fshatit ose nga Banjishti drejt Ames ose deri te Karaula e dikurshme e ushtrisë.
Banjishti të ofron freski ditore edhe në ditët më të nxehta, pasi restoranti është mes pishave të larta.
Udhëtimi përmes lëndinave nga Banjishti drejt Ames ka dredhëza të egra, aq të dashura për fëmijët dhe të rriturit.
8. Drenok, Modric
Në rast se dëshironi një udhëtim pak më të panjohur, mund të vizitoni edhe fshatrat tjerë të Modricit dhe Drenokut, që vërtet janë të vendosura mes pyllit, por nuk të ofrojnë kushte, pasi kafeteritë dhe restorantet mungojnë.
Këtu mund të bleni disa peshq që kultivohen rreth lumit.
9. Myftininë e Dibrës
Pavarësisht historisë së begatë të Dibrës, një muze i kompletuar mungon. Për të parë sesi kanë jetuar gjyshërit tanë mund të vizitoni koleksionin e fotografive të vjetra që ndodhet brenda zyrave të Myftinisë Dibër. Aty mund të gjeni shpesh edhe miq të vjetër, ku hoxhallarët ju mirëpresin në çdo ditë dhe kohë brenda orarit të punës.
10. Aventura të ndryshme
Në fund, në rast se keni dëshirë për një aventurë më mbresëlënëse, përmes personave që kanë fuoristrada 4×4 mund të vizitoni shumë vende tjera të begata si:
Fushë Studen në Gollobërdë
Cerenecin dhe Fushën e Gjoricës me ndalesë në Restorantin Jeton
Fshatin Sinë të Skëndërbeut ose Liqenet e Lurës.
Llixhat e Peshkopisë me ndalesë te restoranti i Izet Shulkut ose Zerjes ose Veri.
Liqenin e Gramës në Korab
Ngjitjen e Majës së Korabit 2764 nga Radomiri ose Strezimiri.
Vizitat e fshatrave të Rekës së Epërme: Vërbjanin, Nistrovën, Krakornicën, rrugën Strezimir-Restelicë.
Ngjitje Jance-Galicnik
Rrugën e vjetër nga Gari në Izvor ose nga Gari në Zhitine.
Rruga nga Spas në Shullan drejt Sollokiqit.
Por edhe për shumë udhëtime tjera të spikatura dhe që s’i gjen as edhe në vendet më të largëta të botës, mund të konsultoheni edhe me persona ose shoqata që njohin shumë mirë vendlindjen e tyrë si:
Dibra off road 4×4,
Shoqatën Alpiniste Nivishta ose KBC Dibra
Pajtim Vranici nga Peshkopia ose Butrint Sela nga Dibra
Vërejtje: Ky shkrim është bërë gjatë një kërkese të shpejtë të një mikut të artikullshkruesit. Çdo shtim i tij për të mirën e turizmit në Dibër është i mirëpritur. /FolDrejt/