Së paku 40 persona humbën jetën dhe mbi 150 janë të zhdukur nga përmbytjet që përfshinë provincën verilindore të Afganistanit, Nuristan.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në qarkun Kamdesh, i cili ndodhet rreth 355 kilometra larg Kabulit.
Shumica e shtëpive atje u shkatërruan.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i tha Radios Evropa e Lirë se militantët do të lejojnë qasjen në provincë të agjencive të ndihmës dhe të zyrtarëve të paarmatosur qeveritarë, transmeton FolDrejt.com.
Nuk është e qartë nëse talibanët kanë kapacitete për të trajtuar emergjencat në zonat nën kontrollin e tyre, të cilat janë kryesisht zona rurale.
Talibanët kanë intensifikuar luftimet kundër forcave qeveritare, prejse trupat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen formale nga Afganistani në muajin maj.