Ministria izraelite e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 44 njerëz kanë mbetur të vdekur në një festival fetar hebre në veri të Izraelit.
Shërbimi kryesor i shpëtimit i Izraelit, Magen David Adom (MDA), tha më 30 prill se më shumë se 100 njerëz u plagosën, duke përfshirë dhjetëra të tjerë që janë në gjendje kritike për jetën.
“MDA po lufton për jetën e dhjetëra të plagosurve dhe nuk do të dorëzohet derisa viktima e fundit të evakuohet“, u tha në një postim në Twitter.
Ka pasur raporte kontradiktore për atë që shkaktoi tragjedinë. Duke cituar policinë, gazeta Haaretz raportoi se incidenti ndodhi nga një panik i shkaktuar kur njerëzit rrëshqitën në shkallët.