Izraeli dhe militantët palestinezë në Gaza shkëmbyen zjarr, duke përshkallëzuar edhe më shumë dhunën mes tyre.
Autoritetet shëndetësore në Gaza – rajon që kontrollohet nga grupi militant i Hamasit – thanë se 26 palestinezë, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë që nga mbrëmja e 10 majit.
Sipas tyre, mbi 120 njerëz u plagosën – shumica nga sulmet ajrore izraelite.
Ushtria e Izraelit tha se së paku 16 të vrarë ishin militantë.
Militantët e Gazës, ndërkohë, hodhën qindra raketa drejt Izraelit, duke vrarë dy civilë izraelitë dhe duke plagosur së paku 10 të tjerë.
Hamasi tha se po vepron për të mbrojtur xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit nga “agresioni” i Izraelit.
Ditëve të fundit, lokacioni ku ndodhet kjo xhami, që është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë, ka parë përleshje të rënda midis policisë izraelite dhe palestinezëve, të cilat kanë lënë qindra njerëz të plagosur.
Bregu Perëndimor po ashtu ka qenë skenë e dhunës.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamasi “ka kaluar vijën e kuqe” duke hedhur raketa në drejtim të Jerusalemit dhe se vendi i tij do të përgjigjet “me forcë të madhe”.
Ushtria izraelite tha se do të dërgojë përforcime në kufi me Gazën, ndërsa ministri i Mbrojtjes urdhëroi mobilizimin e 5,000 ushtarëve rezervë.