Dhjetra njerëz janë arrestuar në një seri bastisjesh të koordinuara në të gjithë Evropën kundër organizatës kriminale Ndrangheta, raportuan mediat gjermane të mërkurën, shkruan Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Qindra oficerë policie morën pjesë në operacionin në shkallë të gjerë në gjashtë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën dhe Belgjikën, njoftoi transmetuesi publik ARD, duke cituar burime sigurie.
Sipas burimeve, operacioni, i koduar “Eureka”, ishte aksioni më i madh ndërkombëtar i policisë deri më tani që synonte grupin mafioz Ndrangheta me bazë në Italinë jugore.
Policia deri më tani ka arrestuar rreth 100 anëtarë të mafias dhe mbështetës të tyre, të cilët ishin të përfshirë në trafik droge, tregti të paligjshme armësh dhe pastrim parash.
Grupi mafioz Ndrangheta besohet se ka kontrabanduar sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Evropë, kryesisht duke përdorur portet e mëdha komerciale të kontejnerëve në Belgjikë dhe Holandë.
Rrjeti i pastrimit të parave të grupit operonte kryesisht nga Gjermania, Belgjika dhe Portugalia dhe investonte në restorante dhe pasuri të paluajtshme në disa vende, sipas hetuesve. /FolDrejt/