Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë njoftuar se është caktuar data e shpalljes së aktgjykimit në çështjen: Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, transmeton Fol Drejt.
“Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Po ashtu bëhet e ditur se kjo seancë do të jetë publike dhe se mund të ndiqet live, nga të gjithë ata që janë të interesuar.
Ua kujtojmë se në aktakuzë parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020./FolDrejt/