Dhuna në familje është fenomen shumë i pranishëm në shoqërinë kosovare por edhe në botë. Ky fenomen njihet në kornizën ligjore ndërkombëtare si: shkelje e tri të drejtave primare të njeriut.
Zamira Rexhepaj – Fol Drejt
Duke hasur çdo ditë në raste të tilla, është një fakt tronditës që ato gjithnjë e më shumë kanë shënuar rritje, ndërsa viktima në shumicën e rasteve sipas statistikave janë gratë.
Nëse rikthehemi në vitet paraprake hetojmë se si kanë ardhur duke u rritur shifrat. Në vitin 2019, sipas të dhënave të policisë, thuhet se ishin raportuar 1965 raste. Në vitet 2020 e 2021 ishte shënuar rritje e rasteve, ku janë raportuar rreth 2198 të tilla.
Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar rreth 11 raste të dhunës në familje. 6 nga rastet janë dhunë ndaj gruas nga partneri i saj, 1 rast ku çifti është përleshur mes veti dhe ka përfunduar në spital, 2 raste kanë të bëjnë me dhunë ndaj prindërve, 1 rast i dhunës ndaj motrës dhe 1 rast ku vjehrri e ka rrahur nusen, raporton Fol Drejt.
Fenomeni në fjalë, përkatësisht shifrat janë alarmante, shumë shqetësuese dhe për më tepër jo sa duhet të trajtuara institucionalisht, sipas sociologëve e psikologëve. Por, duhet theksuar se dhuna në familje është një problem shumë i theksuar botëror.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) çdo 1 në 3 gra ka përjetuar dhunë fizike ose psikike, të dhënat e kësaj organizate vënë theksin te fakti se në çdo 4 minuta një grua rrahet nga burri i saj.
Nga statistikat e vrasjeve në botë, rreth 38 për qind prej tyre kanë të bëjnë me vrasjen e grave nga partnerët e tyre.
Në lidhje me dhunën në familje, me synim për t’i kërkuar shkaqet shoqërore e psikike të cilat çojnë deri tek ushtrimi i dhunës në këto ambiente, kemi kontaktuar dy ekspertë të fushës, psikologen Xhevrije Krasniqi Sabedinaj dhe socilogun Ferdi Kamberi.
Sociologu Ferdi Kamberi për Fol Drejt, ka folur rreth fenomenit të dhunës duke e shpjeguar atë por edhe duke i paraqitur faktorët të cilët ndikojnë në përhapjen e tij.
“Dhuna si fenomen social sot është bërë dhe mbetet dukuri e madhe sociologjike dhe problem i shoqërisë moderne. Si fenomen social pothuajse është e pranishme në çdo kulturë dhe shoqëri. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë “dhuna është forcë fizike ose forcë, me qëllim të rritjes së gjasave të dëmtimit fizik ndaj vetes, dikujt tjetër, një grupi ose komuniteti, dëm psikologjik, vdekjes, problemeve të zhvillimit ose është kërcënuese apo në të vërtetë përdoret në një mënyrë që shkakton privim” (WHO, 2002). Dhuna ndaj grave – “veçanërisht dhuna nga partneri intim dhe dhuna seksuale – është një problem madhor i shëndetit publik dhe një shkelje e të drejtave njerëzore të grave. Po ashtu, vlerësimet e publikuara nga OBSH tregojnë se globalisht rreth 1 në 3 (30%) e grave në mbarë botën i janë nënshtruar dhunës fizike ose seksuale nga partneri intim ose dhunës seksuale nga jopartneri gjatë jetës së tyre. Shumica e kësaj dhune është dhunë nga partneri intim. Në mbarë botën, pothuajse një e treta (27%) e grave të moshës 15-49 vjeç që kanë qenë në një lidhje, raportojnë se kanë qenë subjekt i një forme të dhunës fizike apo seksuale nga partneri i tyre intim” (WHO, 2021).
Fenomeni i dhunës nga këndvështrimi sociologjik mund të përkufizohet si dukuri e veçantë shoqërore e cila del nga shoqëria dhe e përcjellë atë (shoqërinë) në fazat e zhvillimit të saj në të gjitha segmentet e mëtutjeshme.
Teoritë sociologjike, sidomos Teoria e konfliktit shoqëror thotë: se “dhuna në familje ndodh në një marrëdhënie intime kur një partner ka më shumë burime se partneri tjetër, në mënyrë që të kompensojë egon e tij/saj, partneri i dëmtuar zakonisht përdor dhunën. Martesa si një institucion shoqëror përmban një varg burimesh që nuk mund të shpërndahen në mënyrë të barabartë. Disa nga burimet përfshijnë: punën, talentin, reputacionin dhe parat. Kur një partnerit i mungojnë burimet, gjenerohet një ndjenjë e kompleksit të inferioritetit dhe më pas shfaqet ndjenja e konfliktit. Kur rritet intensiteti i konflikteve, rezulton në sjellje abuzive që shkaktojnë dhunën në familje. Në shumicën e rasteve, konfliktet lindin në një marrëdhënie intime kur një partner posedon një punë më të mirë se tjetri, ose fiton më shumë para se partneri tjetër” – thekson Kamberi.
Duke u ndalur tek faktorët të cilët ndikojnë tek ky fenomen, Kamberi shprehet:
“Sa i përket faktorëve të mundshëm të dhunës, ato mund të jenë të shumtë dhe kjo varet kryesisht nga rrethanat në të cilën ndodhë dhuna. Mirëpo, disa nga faktorët e mundshëm të shpërfaqjes së dhunës janë: mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të bashkëshortëve e cila për fat tek ne shpeshherë mungon, mungesa e pavarësimit ekonomik të gruas, faktorët socio – ekonomik, një papunësi të lartë e cila ka prodhuar varfëri të lartë, pasojat nga Covid 19.
Po ashtu, faktorë të tjerë janë edhe faktorët individual si: përdorimi i alkoolit, drogës, stresi në punë dhe instrumentalizimi i atij stresi në shtëpi, ndikimi i mediave (filmat e dhunshëm), mendësia patriarkale e cila është trashëguar dhe është bartur nga e kaluara deri më tani, tolerimi i dhunës në familje, afekti, xhelozia, kriza e vlerave, problemet bashkëshortore, traumat që personat kanë trashëguar në fëmijëri, stresi post-tramautik, etj.”
I pyetur se sa ndikon pozita shoqërore, roli në shoqëri por edhe çfarë roli ka kjo e fundit në përmirësimin e gjendjes Kamberi është shprehur se shoqëria ka një rol të rëndësishëm në preventivën e dhunës.
“Konsideroj se shoqëria ka një rol të rëndësishëm në preventivën e dhunës. Së pari, familja si agjens i parë i socializimit ka rol me rëndësi në këtë drejtim, sepse ajo përmes komunikimit, uljes së tensioneve mund të arrin që të parandaloj eskalimin e situatës, besa edhe përmes bashkëpunimit me institucionet e sigurisë dhe raportimit. Pastaj, edhe komuniteti dhe shoqëria e gjerë përmes vetëdijesimit kanë rol me rëndësi në këtë drejtim”, është shprehur ai për Fol Drejt.
Duke qenë pjesë e një shoqërie ku ka shumë paragjykime, me sociologun Kamberi gjithashtu e pyetëm rreth pranisë së paragjykimeve dhe çfarë do të mund ta minimizonte fenomenin e dhunës në familje.
“Paragjykimet dhe stigmatizimi që mund t’ju bëhen viktimave qofshin ato gra, fëmijë apo edhe burra, sepse dhuna nuk nënkupton vetëm dhunën ndaj njërës gjini, por ajo mund të përfshijë edhe burrat, megjithëse gratë janë ato që më së shumti atakohen. Kështu, shoqëria duhet të shmang paragjykimet dhe stigmën ndaj viktimave të dhunës dhe përmes fuqizimit të kohezionit social, të ndikoj që viktimat e dhunës në familje të integrohen në shoqëri. Kjo mund të ndodhë përmes komunikimit, zhvillimit të aktiviteteve sociale, punës në grup, përkrahjes morale dhe emocionale, si dhe formave të tjera”, thotë Kamberi.
Duke shtuar se:
“Shpërfaqja e rasteve të dhunës në Kosovë është rritur në vazhdimësi dhe kjo mund të sjellë pasoja të pa riparueshme, ndër to: hermetizimin social, shmangien e kontakteve shoqërore, mungesën e integrimit shoqëror, linçimin nga rrethi, pasigurinë sociale, si dhe pasoja të tjera.
Ndërsa, si minimizim i problemit të dhunës do të ishte: zhvillimi i komunikimit brenda për brenda familjes, zhvillimi i programeve vetëdijesuese në media, bashkëpunimi në mes të familjes, shoqërisë dhe institucioneve të sigurisë, mostolerimi i dhunës dhe raportimi, fuqizimi dhe avancimi i qendrave për punë sociale, ngritja e kapaciteteve institucionale rreth dhunës, zhvillimi i politikave publike në këtë sferë, etj.”
Për ta shtruar këtë çështje edhe në rrafshin e pasojave psikologjike, Fol Drejt kontaktoi edhe psikologen Xhevrije Krasniqi Sabedinaj. Ajo duke qenë e njohur me këtë fenomen konsideron se dhuna në familje ndodh e ndikuar nga faktorë të shumtë si stresi, kushtet e vështira ekonomike, papunësia, konflikti në mes të gjeneratave dhe të tjera.
Krasniqi gjithashtu mendon se dhuna ndikon jashtëzakonisht shumë në gjendjen psikologjike të njeriut, qoftë fizike e sidomos psikike.
“Realisht shumica e njerëzve të cilët përjetojnë dhunë në familje janë në gjendje psikologjike shumë të rëndë. Dhuna në familje ndikon në të gjithë anëtarët e asaj familje pa përjashtime por sidomos te fëmijët lë gjurmë më të mëdha. Fëmijët të cilët përjetojnë dhunë në familje identifikohen shumë lehtë janë shpeshherë të frikësuar, të turpshëm, në ankth, vetëbesim të ulët, agresiv, mungesa të shumta në shkollë, arritje akademike e ulët dhe të tjera. Kjo gjë i bën të dallueshëm lehtë nga femijët tjerë”, shprehet Krasniqi për Fol Drejt.
Organizata joqeveritare, ekspertë të fushave e personalitete publike, konsiderojnë se fenomeni i dhunës në familje, gjithnjë në rritje, ka nevojë për vëmendje më të madhe institucionale. Me gjithë angazhimin e këtyre të fundit, ai po vijon të përhapet, për ç’gjë kërkohet angazhim i gjithmbarshëm shoqëror e institucional./FolDrejt/