Futbollisti argjentinas Angel Di Maria ka postuar një mesazh lamtumire në profilin e tij në Instagram dhe ka njoftuar se po largohet nga Juventusi pas vetëm një viti në këtë klub.
Anësori erdhi në Juventus sezonin e kaluar si lojtar i lirë, por edhe pse pritej të ishte një përforcim i madh për këtë skuadër, ai përfundoi në ndeshjet më të këqija të Juventusit dhe shënoi tetë gola dhe shtoi shtatë asistime në 40 ndeshje.
“Kam ardhur në fund të një periudhe të vështirë dhe të komplikuar. Po largohem dhe jam i sigurt që kam bërë më të mirën. Nuk arritëm të fitonim tituj dhe kjo më lë një shije të hidhur”, ka shkruar.
“Faleminderit të gjithë shokëve të skuadrës për dashurinë që më treguan që nga dita e parë, jam ndjerë gjithmonë si në shtëpinë time. Një përqafim i madh, do ta mbaj gjithmonë Juventusin në zemrën time”.
Di Maria e filloi karrierën e tij në klubin argjentinas Rosario Central, për të cilin luajti nga viti 2005 deri në vitin 2007, pastaj luajti për Benfica-n për tre sezone. Më pas u transferua te Real Madridi, për të cilin luajti nga viti 2010 deri në vitin 2014 dhe më pas kaloi te Manchester United, ku qëndroi vetëm për një sezon.
Për shkak të një konflikti me trajnerin Louis Van Gaal, ai u largua nga Manchester United dhe shkoi në PSG, ku luajti për shtatë sezone dhe më pas nënshkroi për Juventusin. Ai bëri debutimin e tij për kombëtaren argjentinase në vitin 2008, transmeton Fol Drejt.