I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord të takohen në nivelin më të lartë dhe se disa marrëveshje për të dy vendet janë gati për t’u nënshkruar së shpejti.
Lajçak i bëri komentet mbrëmë në konferencën ndërkombëtare të Forumit të 15-të të Dubrovnikut, të mbajtur në qytetin bregdetar kroat Dubrovnik, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Edhe pse Lajçak në fjalimin e tij nuk tha se çfarë mbulojnë marrëveshjet, muajin e kaluar ai tha se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord të miratojnë një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve energjetike në kuadër të Dialogut të Brukselit.
Çfarëdo marrëveshje e arritur mes dy vendeve do të ishte e para e nënshkruar nga të dyja palët që kur Lajçak u angazhua në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradës dhe Prishtinës.
Në vitin 2011, BE-ja nisi një proces dialogu për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithëse në vitet e fundit përpjekjet janë penguar nga tensionet.
Objektivi është të arrihet një zgjidhje për çështjen se si do të paguajnë konsumatorët në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për furnizimin me energji. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, situata ka mbetur e pazgjidhur, me serbët që akoma refuzojnë të paguajnë për energjinë që u është dhënë sepse nuk i njohin institucionet e Kosovës si të vlefshme.
Sipas udhërrëfyesit, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës do të lëshojë një licencë furnizimi ‘Drustvo Elektrosever’, një degë e ofruesit shtetëror serb të energjisë ‘Elektroprivreda Srbije’ në Kosovë.
Lajçak në forum ka pohuar se procesi i dialogut mes dy vendeve është procesi më strategjik në rajon.
Dy probleme urgjente, shpjegoi ai, janë fillimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe një regjim pa viza për Kosovën.
“Theksova se lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka. Zgjerimin e bëri përsëri politikë. Për një kohë të gjatë, ne ishim të vetëkënaqur. Kjo nuk mund të vazhdojë më”, tha Lajçak në rrjetet sociale.
“Ne duhet të përfundojmë punën tonë të papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, shtoi ai.
Forumi dyditor i Dubrovnikut këtë vit fokusohet në pushtimin rus të Ukrainës.
Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të ketë pretendime për territorin.
Kosova synon të arrijë anëtarësimin e plotë në BE dhe të fitojë një regjim pa viza për zonën e BE-së.
Serbia, Rusia dhe Kina janë ndër vendet që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës./FolDrejt/