Një takim i rëndësishëm është zhvilluar mes diasporës së Zvicrës dhe Annette Mathur – Weiss, si përfaqësuese e Sekretariatit të Migracionit të Konfederatës Zvicerane në Bernë, transmeton Fol Drejt.
Lajmin për këtë takim e ka bërë të ditur Xhemail Çupi, i cili përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ka treguar se gjatë këtij takimi janë shkëmbyer mendime nga shumë fusha në lidhje me integrimin më të suksesshëm të diasporës sonë në nivel federal, kantonal dhe komunal në Konfederatën Zvicerane.
Çupi tregon se gjatë këtij takimi ka përcjellë kërkesat e diasporës, ndër të cilat qenë në radhë të parë nevojën për hapjen e një qendre informative kulturore që do të jetë qendër për promovimin e kulturës, artit, muzikës, teatrit tonë, duke ndjekur shembullin e QIK-ut në SHBA.
Postimi i plotë i Xhemail Çupit:
“Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm që prek diasporën tonë në Zvicër është takimi i sotëm me Sekretariatin e Migracionit të Konfederatës Zvicerane në Bernë, znj. Annette Mathur-Ëeiss dhe kolegët e saj.
Në një atmosferë shumë konstruktive pune, shkëmbyem mendime nga shumë fusha në lidhje me integrimin më të suksesshëm të diasporës sonë në nivel federal, kantonal dhe komunal në Konfederatën Zvicerane.
Bashkëbiseduesve u përcolla kërkesat nga diaspora jonë, në radhë të parë nevojën për hapjen e një qendre informative kulturore që do të jetë qendër për promovimin e kulturës, artit, muzikës, teatrit tonë, duke ndjekur shembullin e QIK-ut në SHBA. Gjithashtu propozova që një qendër e tillë të hapet në edhe në Shkup, me qëllim që të prezantohen vlerat zvicerane tek ne dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë kurse për studimin e gjuhëve zyrtare që fliten në Konfederatën Zvicerane për anëtarët e familjeve që planifikojnë bashkim familjar, si dhe të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.
Krahas kësaj, përcjella te to edhe nevojën për njohjet reciproke të patentëve të shoferit, kërkesë kjo që akoma nuk ka një përgjigje.
Për të më sipërmet kërkova të japin një qëndrim zyrtar prej anës së tyre sa më shpejt që të jetë e mundur.”/FolDrejt/