Këshilli i Komunës së Dibrës ngriti për të dytën herë një mocion votëbesimi për të rrëzuar kryetarin e përkohshëm të qytetit z. Eugjen Cami.
Me tetë vota pro (5 BDI, 2 LSDM dhe 1 PEI) ata kanë arritur shumicën, ku si kryetar i ri është zgjedhur z.Hekuran Duka nga radhët e BDI. Siç mëson Foldrejt.com, nga burime brenda komunës, “z. Eugjen Cami në mënyrë qytetare ka pranuar dorëheqjen, pa marrë parasysh se është shkelur ligji.” Prej nesër (e premte) në zyrën e kryetarit të Dibrës do ulet z.Hekuran Duka.
E gjithë procedura e sotshme ka qenë në prani dhe diskutim të OSBE.
Aleanca për Shqiptarët akuzoi “servilët e BDI” që përmes punësimit të djalit të këshilltarit të PEI, ka arritur të krijojë shumicën edhepse në kundërshtim të çdo norme ligjore. Herën e parë, 10 dhjetor 2018, këshilltari i PEI ka votuar për Eugjen Camin, sëbashku me BESËN (2), OBRM (2) dhe ASH (3).
Por në të njëjtën kohë, edhe partia në pushtet BDI u ankua se votimi për z. Cami ka qenë jashtëligjor, pasi votimi duhej të kryhej në bazë të alfabetit qirilic dhe jo atij latin me të cilën shkruhet gjuha shqipe.
Kjo pritet të jetë një histori e përzishme dibrane, që do kujtohet gjatë. Pas vdekjes së kryetarit Ruzhdi Lata (24 nëntor 2018), i pari i Dibrës është si vijon:
24 nëntor 2018 – 10 dhjetor 2018: Hekuran Duka
10 dhjetor – 31 janar 2019: Eugjen Cami
31 janar 2019 – 21 prill 2019: Hekuran Duka
21 prill 2019 – 2023 : …..