Tre shtëpi janë djegur prej zjarrit që ka përfshirë sot njësinë administrative të Bërdicës në Shkodër.
Flakët janë përhapur me shpejtësi si rezultat i erës.
Forcat zjarrfikëse dhe ushtria kanë evuuakuar menjëherë banorët në dy prej shtëpive ndërsa e treta ka qenë e pabanuar prej pak kohësh.
Edhe në këto momente po vijon lufta me flakët në Bërdicë ndërsa zjarret kanë rrethuar të gjithë Shkodrën, nga Postriba, në Bardhaj e deri në kufirin me Malësinë e Madhe.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe kodrat në zonën e Shënepremtes në Lushnjë.
Mësohet se flakët kanë përfshirë disa kodra me ullinj, të favorizuara edhe nga era e fortë dhe temperaturat e larta të gushtit. Aktualisht zjarri po kalon në Kodrat e Divjakës, afër fshatit Gërmenje.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri.
Aktualisht është aktiv zjarri në fshatin Gjysulkanë të Tiranës, i cili rrezikoi edhe banesat.
Vazhdon të jetë aktiv zjarri në vendin e quajtur “Bjeshka e Bregut”, fshati Ura e Shtrenjtë dhe fshati Vilëz, në Shkodër.
Po ashtu, zjarri është aktiv edhe në Malin e Tolës në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat.
Edhe në Durrës, zjarri ka rënë në në fshatin Shetaj, i cili është ende aktiv.
Në fshatin Zezë, bashkia Krujë, është punuar për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë mbrëmjen e djeshme në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra ku janë rrezikuar dhe banesa.
Zjarri është aktiv edhe në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, në fshatin Shpërdhezë, bashkia Mirditë, dhe në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan./tch/