Në Greqi është djegur automjeti i diplomates italiane, Susanna Schlein.
Në lajmet në shtypin grek thuhet se mjetit të diplomates italiane i është vënë zjarri teksa ishte i parkuar në garazhin e banesës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në lajmin ku thuhet se mjeti është djegur plotësisht, raportohet se në vendngjarje ka pasur shishe dhe shkrepëse me lëndë djegëse, si dhe është dëmtuar një automjet tjetër.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në një postim në Twitter dënoi sulmin.
Duke deklaruar se sulmi kishte për qëllim automjetin e Susanna Schlein, Sekretares së Parë të Ambasadës Italiane në Athinë, Tajani tha se, “Unë fola me të në telefon për t’i shprehur mbështetjen time”.
Tajani theksoi se gjatë vizitës së tij sot në Athinë do të vizitojë edhe Ambasadën e Italisë.
Në postimin në Twitter të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, dënohet ashpër tentativa për zjarrvënie.
“Shprehim solidaritetin dhe afërsinë tonë me stafin e ambasadës italiane në Athinë dhe kolegët tanë. Jemi duke pritur gjetjet e autoriteteve në lidhje me këtë ngjarje e cila përbën një vepër të rëndë kriminale”, theksohet nga ministria./FolDrejt/