Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi është shkrimtari me origjinë nga Tanzania, Abdulrazak Gurnah, të cilin akademia suedeze e vlerësoi me atë që e cilësoi si “depërtim i pakompromistë dhe i dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit, në hendekun mes kulturave dhe kontinenteve”.
Biografia e Gurnah është e bujshme. Ai ka lindur më 20 dhjetor 1948 në Zanzibar. Ai tashmë gëzon nënshtetësi britanike pasi që atje kishte migruar i ri si refugjat, gjatë Revolucionit të Zanzibarit. Ai është eseist, tregimtar e romancier. Temat kryesore që i përshkojnë shkrimet e tij, janë mërgimin, zhvendosja, përkatësia, kolonializmi dhe premtimet e thyera nga shteti. Shumica e romaneve të tij tregojnë histori për njerëzit që jetojnë në botën në zhvillim, të prekur nga lufta ose kriza, të cilët mund të mos jenë në gjendje të tregojnë historitë e tyre. Pra, në shkrimet e tij kemi elemente të theksuara autobiografike.
Pjesa më e madhe e veprës së tij zhvillohet në brigjet e Afrikës Lindore dhe të gjithë protagonistët e romaneve të tij, përveç njërit, kanë lindur në Zanzibar. Ndonëse Gurnah nuk është kthyer të jetojë në Tanzani që kur u largua në moshën 18-vjeçare, ai ka thënë se atdheu i tij “gjithmonë e pohon vetveten në imagjinatën e tij, edhe kur ai qëllimisht përpiqet t’i vendosë historitë e tij diku tjetër”.
Kritiku letrar Bruce King pohon se personazhet e Gurnah-ut shpesh çrrënjosen, tëhuajsohen, janë të padëshiruar dhe për këtë arsye janë, ose ndjehen, viktima të zemëruara. Ai thotë se personazhet e Gurnah-ut zakonisht nuk kanë sukses jashtë vendit pas migrimit të tyre.
Në vitin 2006, Gurnah u zgjodh anëtar i Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë. Ndëresa, më 7 tetor 2021 ai u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2021. Gurnah ishte shkrimtari i parë me ngjyrë që mori çmimin që nga viti 1993, kur Toni Morrison e fitoi atë, si dhe shkrimtari i parë afrikan që nga viti 2007, kur Doris Lessing e fitoi atë.
Jeta personale
Gurnah aktualisht jeton në qytetin Canterbury të Anglisë, por gjithnjë duke mbajtur lidhje të ngushta me Tanzaninë, ku një pjesë të familjes e ka atje dhe thotë se shkon atje kurdo qe mundet: “Unë jam prej aty. Me mendjen time jetoj atje”.