Tre diplomatë iranianë kanë mbërritur në Arabinë Saudite për herë të parë pas 6 vitesh për të përfaqësuar misionin e Teheranit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI) në Xheda, njoftoi televizioni shtetëror iranian sot, transmeton Fol Drejt.
“Tre diplomatë iranianë kanë mbërritur në Xheda për të filluar punën e tyre në OBI”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh në një konferencë për media.
Ai theksoi se Teherani është gati të rihapë ambasadën e tij në Rijad. Megjithatë, ai shtoi se një lëvizje e tillë “varet nga masat praktike që do të marrë pala saudite”, shkruan AA.
Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në janar 2016 pas një sulmi në ambasadën saudite në Teheran, i cili erdhi pas ekzekutimit të klerikut shiit Nimr al-Nimr nga autoritetet saudite.
Marrëdhëniet midis dy rivalëve u përkeqësuan më tej pasi Irani në shtator 2016 akuzoi autoritetet saudite se shkaktuan qëllimisht vdekjen e rreth 400 haxhilerëve iranianë në një rrëmujë të vitit 2015 në qytetin e shenjtë musliman të Mekës.
Që atëherë, të dy palët janë përfshirë në një rivalitet të fortë rajonal, duke akuzuar shpesh njëra-tjetrën se po zhvillojnë luftë për ndikim rajonal.
Të dy vendet, megjithatë, mbajtën disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Iraku në muajt e fundit në përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.