Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe Iranit kanë rënë dakord të takohen së shpejti në përgatitje për të rihapur ambasadat dhe konsullatat midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Kryediplomati saudit Faisal bin Farhan dhe homologu i tij iranian Hossein Amir Abdollahian biseduan me telefon të martën vonë, tha Ministria e Jashtme saudite.
“Në fillim të bisedës, të dy palët shkëmbyen urime me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit”, tha ministria.
“Të dy ministrat ranë dakord që së shpejti të zhvillojnë një takim dypalësh mes tyre, në mënyrë që të hapet rruga për rihapjen e ambasadave dhe konsullatave mes dy vendeve”, tha ministria pa dhënë detaje të mëtejshme për datën e takimit të ardhshëm.
Pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kina, Arabia Saudite dhe Irani njoftuan më 10 mars rivendosjen e lidhjeve të ndërsjella dhe planifikimin e rihapjes së ambasadave brenda dy muajve.
Në janar të vitit 2016, Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet e saj me Iranin, pas sulmeve ndaj ambasadës së saj në Teheran dhe konsullatës së saj në Mashhad, në shenjë proteste kundër ekzekutimit nga mbretëria të klerikut shiit saudit Nimr al-Nimr, me akuza përfshirë atë për “terrorizëm”. /FolDrejt/