Diplomatët iranianë boshatisën ambasadën e Iranit në Tiranë dhe po largohen nga vendi, me kërkesë të qeverisë shqiptare, që njoftoi prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Një makinë “Benz” u largua këtë mëngjes nga ambasada e Iranit, e mbushur me sende personale në sediljet e pasagjerëve. Të tjerë punonjës u larguan në këmbë.
Godina është rrethuar me shiritin policor dhe pritet që forcat blu të vazhdojnë me procedurat e kontrollin në seli. Ky moment ka tërhequr vëmendjen e medieve vendase dhe të huaja, që kanë ndjekur hap pas hapi boshatisjen e godinës.
Flamuri i Iranit vijon të valëvitet edhe për pak çaste…
Selia diplomatike ka qenë me qira. Në godinë ka hyrë pronari i saj.
Siç raportoi mbrëmjen e djeshme gazetarja e Top Channel Doriana Bezat, ka patur një letër këmbim mes ambasadës të Iranit dhe Ministrisë të Punëve të Jashtëme. Prej tyre është kërkuar më shumë kohë për tu larguar. Kërkesa nuk është pranuar.
Qeveria shqiptare ndërmorri vendimin ekstrem dhe njoftoi një ditë më parë se ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Vendim vjen pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare. Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se sulmi ka ardhur nga Irani, tashmë vend jo mik me Shqipërinë.
Gjatë natës, u bënë lëvizje të herëpashershme në ambientet e ambasadës. Një kamionçinë solli një fuçi ku u dogjën dokumentet, pasi iranianët nuk mund t’i marrin me vete. Diplomatët kanë vazhduar me përgatitjet e tyre, ndërkohë që pritet të shohim nëse ata do të largohen në kohë nga Tirana./TCH/