Të gatuash mirë nuk do të thotë të jesh patjetër një profesionist.
Megjithatë, ka disa truke që çdo amvisë duhet t’i dijë që të çojë në një nivel tjetër recetat e gatimit, sidomos ato të makaronave, përcjell Fol Drejt.
Gatimi i tyre presupozohet të jetë diçka e lehtë sa hap e mbyll sytë, por e vërteta është krejt ndryshe. Lexoni më poshtë disa sugjerime.
Gabimet që duhet t’i shmangni kur gatuani makarona
Sasia e kripës në ujin e makaronave
Ekspertët thonë njëzëri që uji ku do të zihen makaronat duhet të jetë i kriposur por jo shumë. Në një sasi prej 3-4 litrash ujë duhet të hidhni një lugë gjelle me kripë dhe jo më shumë.
Kripa hidhet pas zierjes së ujit. Kripa përmirëson shijen e makaronave por ka njerëz që nuk e përdorin shumë kripën ndaj në disa raste duhet të tregoheni dorështrënguar.
Vaj ulliri në ujin e makaronave
Shefat më në zë të kuzhinës thonë se hedhja e vajit të ullirit në ujin e makaronave ndërsa ziejnë është krejt e panevojshme. Vaji i ullirit i bën makaronat të ngjiten më njëra tjetrën.
Kullimi i plotë i makaronave
Sipas ekspertëve të kuzhinës, makaronat duhen kulluar në një kullesë me vrima të trasha dhe ato duhet të jenë të lëngshme dhe jo krejt të thata, sepse uji i tyre përmirëson cilësinë e salcës së hedhur.
Shpëlarja e makaronave
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, shpëlarja e makaronave me ujë është e gabuar. Niseshteja që çlirohet gjatë gatimit të makaronave e pasuron salcën dhe e bën të gjithë pjatën më të njëjtrajtshme.
Ruajtja e ujit të makaronave
Uji i zier i makaronave duhet ruajtur në sasi të vogla vetëm nëse salca e tyre është shumë e trashë. Salca duhet të jetë e plotë dhe jo e holluar shumë me ujë.
Për më tepër, nëse makaronat nuk i kulloni plotësisht, është më mirë sepse ato do të jenë mjaftueshëm të lëngshme për t’u ngjitur mirë me përbërësit e salcës që keni përzgjedhur.
Testi i murit për makaronat spageti
Nuk ka nevojë të bëni akrobacira për të kuptuar nëse makaronat janë zier ose jo. Këtu përfshihet edhe hedhja e një fije të gjatë makarone në mur ose në banak të kuzhinës për të provuar zierjen e saj. Në Shqipëri kjo provë është shumë e përhapur.
Kjo është krejt e panevojshme sepse makarona e zier dallohet me një kafshim të vetëm. Makaronat e kanë kohën e zierjes 8-12 minuta në varësi edhe të butësisë që preferoni.
Si të gatuani makaronat?
Mbusheni tenxheren me ujë të ftohtë. Sasia perfekte e ujit është 3-4 litra ujë për një pako 500 gramëshe makarona. Pasi uji të ketë valuar, shtoni kripën, përziejeni me lugë dhe më pas shtoni makaronat. Mos vendosni kapak mbi tenxhere. Makaronat quhen të gatuara kur nuk janë krejt të zbutura.
Nëse janë zbutur shumë bien shumë rëndë në stomak. Kullojini makaronat në kullesë por mos i shpëlani me ujë. Makaronat duhen servirur menjëherë sa janë të ngrohta. Sa i përket salcës, ajo nuk duhet të tejkalojë sasinë e makaronave.
Është e rëndësishme që shija e makaronave dhe salcës të ndërthuren, pra jo të ndjeni vetëm shijen e salcës apo vetëm shijen e makaronave./FolDrejt/