Disfagia, ose “vështirësia në gëlltitje”, është simptoma më objektive, që tregon praninë e një sëmundjeje ose të një çrregullimi lëvizor. Ajo nuk duhet të merret kurrë si një turbullim emocional ose të ngatërrohet me një Globus histericus, term ky që përdoret për të treguar ndjenjën e një kokrre apo të një shtrëngimi në fyt, të pavarur nga gëlltitja.
Shfaqja më karakteristike e disfagisë është ndjenja e “ngjitjes” së ushqimit diku në rrugën e kalimit për në stomak, zakonisht në vendin e bllokimit, por nganjëherë në zonën e vendosur në pjesën e sipërme të sternumit, ndonëse bllokimi mund të jetë në pjesën e poshtme të ezofagut, transmeton Telegrafi.
Dhimbja mund të shoqërojë disfaginë, veçanërisht në qoftë se spazma ezofagale shkaktohet nga valët peristaltike, që përpiqen me forcë te kalojnë përmbajtjen ushqimore tej bllokimit. Në qoftë se dhimbja është e lehtë, ajo priret të lokalizohet në vendin e bllokimit, ndërsa kur është e fortë ajo përhapet më gjerësisht, në bazën e qafës, në këndin e nofullës, në krahë ose në kurriz. Ngandonjëherë dhimbja deri diku mund të shkaktojë disfagi, ashtu siç ndodh kur fyti është i sëmurë dhe gëlltitja vështirësohet.
Për qëllime klinike është e dobishme që disfagia të ndahet në disfagi me prejardhje orofaringale dhe me prejardhje ezofagale, meqenëse shenjat, etiologjia dhe trajtimi zakonisht ndryshojnë për të dy tipat.
Disfagia orofaringale. Simptomat që lidhen me disfaginë e shkaktuar nga prishja e strukturave orofaringale janë: thithja gjatë gëlltitjes, rikthimi i lëngjeve në hundë, dhimbja faringale që shoqëron gëlltitjen dhe paaftësia e gjuhës për të kaluar ushqimin në faring.
Çrregullimet neuromuskulore janë shkaqet më të zakonshme të disfagisë orofaringale, e cila, megjithatë, paraqet vetëm një element të sindromës. Shembuj të këtyre çrregullimeve janë aksidentet e enëve të trurit, të cilat shkaktojnë paraliza pseudobulbare ose paraliza bulbare, poliomielit, sëmundje të sistemit lëvizor, polineurit difteritik, miasteni të rëndë, distrofi miotonike, distrofitë muskulore restriktive (okulofaringale dhe laringoezofagale) dhe dermatomioziti.
Dëmtimet ulcerative si faringiti, Angina Vincent, stomatiti nga moniliaza, infeksionet virale me dëmtime herpetike dhe absceset retrofaringale, duke shkaktuar dhimbje, bllokojnë fillimin e gëlltitjes. Kësaj liste mund t’i shtohet sindroma Plumer-Vinson, sindroma Paterson-Kelly ose disfagia sideropenike, meqenëse në këtë sëmundje vështirësia në gëlltitje i ngjan asaj të shkaktuar nga një çrregullim neuromuskulor edhe pse dhimbja mund të jetë një shfaqje tjetër shqetësuese e dytë.
Studimet e pakta anatomopatologjike kanë treguar një atrofi të njëkohshme të epitelit dhe të muskujve. Disfagia orofaringale mund të shkaktohet nga ngushtimi i lumenit të faringut ose të ezofagut të sipërm, nga ndonjë tumor, sëmundje granulomatoze, divertikul i Zenkerit ose nga gusha.
Disfagia ezofagale. Simptomat që tregojnë se shkaku i disfagisë duhet të ndodhet në ezofag, luhaten nga një ndjenjë mbushjeje prapa sternumit gjatë gëlltitjes deri në pamundësinë e kalimit të ushqimit nëpër ezofag, të shoqëruar me dhimbje, që kalon vetëm me rikthimin e masës ushqimore shkaktare. Gëlltitja e bariumit nga të sëmurët me disfagi ezofagale tregon një ngushtim segmentar të lumenit të ezofagut, pa peristaltikë të fuqishme, ose me të dyja njëkohësisht.
Ngushtimi mekanik i lumenit të ezofagut shkaktohet më shpesh nga karcinoma e tipit luspor, që vjen nga vetë ezofagu ose nga adenokarcinoma e kardias, e cila shtrihet lart në ezofag. Rrallë tumoret beninje mund të arrijnë madhësi të mjaftueshme për të shkaktuar disfagi. Stenozat inflamatore ndodhin më shpesh nga ezofagiti i refluksit, por ato shkaktohen edhe nga marrja e lëndëve gërryese të tilla si finja ose nga traumat prej trupave të huaj ose nga ndërhyrjet e ndryshme në ezofag.
Përveç kësaj, një unazë e poshtme ezofagale mund të japë disfagi nga mbyllja e lumenit të ezofagut. Shtypja e jashtme e lumenit të ezofagut nga aneurizmat, nga anomalitë enore, nga tumoret mediastinale ose nga herniet diafragmatike paraezofagale mund të shkaktojë disfagi. Së fundi, çrregullimet e lëvizshmërisë të shoqëruara me spazmë difuze ezofagale, akalazia dhe refluksi ezofagal mund të jenë shkaktare të disfagisë.
Megjithëse peristaltika ezofagale mungon në shumicën e të sëmurëve me sklerodermi, disfagia nuk është simptomë e dukshme derisa ezofagiti nga refluksi të çojë në ngushtim inflamator.
Diagnoza diferenciale. Përcaktimi i mekanizmit bazë, shkaktar për disfaginë, zakonisht është i thjeshtë, por zbulimi i saktë i çrregullimit, që shkakton disfaginë, mund të jetë mjaft i vështirë. Për shembull, kanceri i ezofagut, nganjëherë paraqitet menjëherë dhe radiografia mund të paraqesë një pamje të lëmuar simetrike dhe buzë të rregullta, siç është më e zakonshme në stenozat beninje ose në akalazi; madje edhe ezofagoskopia jo gjithmonë lejon që të arrihet në përfundim; edhe biopsia mund të mos japë rezultate të plota në qoftë se indet paraqesin vetëm reaksionin inflamator dhe nuk përmbajnë qeliza neoplazike.
Po kështu, çrregullimet neuromuskulore dhe të lëvizshmërisë së ezofagut, duke çrregulluar gëlltitjen, mund të jenë të vështira për t’u klasifikuar. Megjithatë, disa simptoma që shoqërohen me disfaginë kanë vlerë diagnostike. Lemza, kur shoqërohet me vështirësi në gëlltitje, tregon praninë e një dëmtimi në pjesën e poshtme të ezofagut si karcinomë, akalazi ose hernie hiatale.
Disfagia që pasohet, pas një intervali disi të zgjatur, nga ngjirja e zërit, tregon shtrirje të një tumori malinj tej mureve të ezofagut dhe prekje të nervit rekurent laringal. Kur ngjirja vjen para dhe disfagia më vonë, dëmtimi pothuajse është gjithmonë në laring. Ky kombinim i simptomave laringale dhe faringale mund të shfaqet dhe në polimiozitin ose në dermatomiozitin, apo në ndonjë sëmundje që shkakton dëmtim të dyanshëm të nervave vagë ose të bërthamave të tij (poliomieliti dhe polineuriti).
Në sëmundjet e sistemit lëvizor (shkaku më i zakonshëm i një paralize të përzier bulbare dhe pseudobulbare) disfagia zakonisht kombinohet me disfoni dhe me dizartri; lëvizjet e nofullës janë hiperaktive dhe gjuha atrofike. Disfagia dhe gërhitja e njëanshme pothuajse gjithnjë lidhen me një tumor mediastinal, që kap ezofagun dhe një bronk kryesor ose të madh. Shkaktimi i kollës në çdo gëlltitje ushqimi apo pirje lëngjesh tregon komunikim fistuloz midis ezofagut dhe trakesë ose një çrregullim lëvizor, në të cilin laringu nuk mbyllet mirë.
Të kolliturit, që shfaqet shpesh pas gëlltitjes, mund të shkaktohet nga rikthimi i ushqimit; ai takohet më shpesh në akalazi dhe në divertikulin e Zenkerit.
Procedurat diagnostike
Vrojtimi i gojës dhe i faringut duhet të zbulojë ato dëmtime që pengojnë kalimin e ushqimit prej gojës në ezofag, për arsye të dhimbjes ose të një pengese mekanike. Kur dyshohen dëmtime të hipofaringut (p.sh. abces i motuar prapa faringut nga tuberkulozi i shtyllës kurrizore) ose të laringut (p.sh. tuberkuloz ose karcinomë) duhet bërë vrojtimi me pasqyrë.
Teknika më e rëndësishme diagnostike për të vlerësuar disfaginë është ekzaminimi me barium, që bën të mundur përcaktimin nëse disfagia është shkaktuar nga bllokimi mekanik apo nga çrregullime lëvizore ezofagale. Mungesa e peristaltikës ezofagale mund të vërtetohet më mirë me gëlltitjen e bariumit nga i sëmuri. Po qe se nuk ka peristaltikë, bariumi do të mbetet në ezofag derisa i sëmuri të ngrihet. Meqenëse veprimi muskulor i faringut është mjaft i shpejtë, gëlltitjet duhet të regjistrohen me cineradiografi.
Në qoftë se bariumi i gëlltitur tregon dëmtim brenda në ezofag ose ngushtim të lumenit, ezofagoskopia është metoda më e drejtpërdrejtë për përcaktimin e natyrës së dëmtimit. Ajo lejon që të shikohet dëmtimi, dhe të kryhen biopsi ose fshirje të tij për ekzaminim citologjik në dallimin e dëmtimeve inflamatore nga ato malinje, transmeton Telegrafi.
Në qoftë se biopsia tregon vetëm ind normal ose një inflamim të motuar, ngushtim malinj, prapëseprapë nuk përjashtohet me siguri, sepse tumoret e ezofagut shpesh shtrihen nën mukozë dhe mund t’i shpëtojnë biopsisë sipërfaqësore. Në të tilla rrethana janë të nevojshme biopsitë e përsëritura ose ekzaminimi citologjik eksfoliativ. Citologjia e interpretuar nga një specialist me përvojë jep të dhëna të sakta për diagnozën e kancerit të ezofagut.
Meqenëse zakonisht disfagia shfaqet në fillim vetëm pas gëlltitjes së ushqimeve të ngurta dhe vetëm më vonë nga lëngjet, gëlltitja normale e bariumit të lëngshëm nuk duhet të merret si dëshmi që të përjashtohet një sëmundje e rëndësishme e ezofagut. Për të nxitur gjendjen në të cilën i sëmuri ndien disfagi, jepet një masë ushqimore e ngurtë radioskopike.
Gëlltitja e një ushqimi të ngurtë mjaft shpesh vë në dukje çrregullimin e peristaltikës, që nuk vihet re nga gëlltitja e lëngjeve, e cila në ndonjë rast na jep të dhënën e parë të kancerit të hershëm të ezofagut.
Çrregullimet lëvizore të faringut dhe të ezofagut mund të dyshohen duke parë lëvizjen e masës së gëlltitur radioopake në fluoroskopi, por për të përcaktuar mirë këto çrregullime duhet që përgjigjja lëvizore e faringut dhe e ezofagut gjatë gëlltitjes të studiohet duke matur shtypjen intraluminale në disa pika të ndryshme njëkohësisht.
Regjistrimet bëhen më mirë duke përdorur një balonë të mbushur me ujë, ku kateterët e mbushur me ujë lidhen me transmetuesit e shtypjes jashtë ose me matës të tensionit. Ekzaminimet e regjistrimeve manometrike të valëve të gëlltitjes tregojnë nëse vala përhapet normalisht gjatë tërë ezofagut, nëse shtypja që lind nga vala peristaltike është normale dhe e aftë të shtyjë masën e gëlltitur dhe, së fundi, nëse lirimi i sfinkterit është i plotë, me zgjatjen e duhur në kohë dhe i bashkërenduar mirë me valën peristaltike.