Në seancën e së hënës, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, përderisa është duke vazhduar dëshminë dëshmitari i shtatë (me kodin 1) janë diskutuar çështje procedurale për marrjen në pyetje të tij.
Avokati mbrojtës Mohamed Hédi Aouini tha se do të diskutojnë për dy çështje, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Çështja e parë kishte të bënte me atë që mbrojtja do të i tregon dëshmitarit disa fotografi të personave që sipas avokatit Aouini, ai nuk i ka njohur në 2019-ën dhe nuk i njeh as sot dhe se këtë do ta bëjë në seancë publike.
Për këtë, do i kërkohet dëshmitarit të përgjigjet nëse i njeh personat në fotografi pa dhënë hollësi të tjera.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia propozoi që dëshmitari të përgjigjet me po/jo dhe nëse përgjigja e tij është e ndryshme nga ajo që ka deklaruar më herët, të kalohet në seancë private.
Lidhur me këtë çështje, nuk patën kundërshtime Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave.
Kurse, çështja e dytë për diskutim ishte se mbrojtja kërkonte që dëshmitarit të i tregohet një pikë që rrjedh nga dëshmia e dëshmitarit tjetër, që sipas tyre përveç informacionit duhet të tregohet edhe burimi i informacionit.
‘‘Në qoftë se japim informacion, duhet me i thënë emrin kush e ka thënë se nëse nuk i themi, nuk ka vlerë që të pyesim, se pa burim të informacionit nuk ka logjikë që dëshmitari ta pranojë apo të refuzojë diçka’’, tha avokati Aouini.
Por, kjo çështje është diskutuar më pas në seancë private.
Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) për të katërtën ditë ka vazhduar dhënien e dëshmisë dëshmitari i shtatë (me kodin 1).
Dëshmitari është duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Shalës, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Me të nisur pyetjet, avokati Mohamed Hédi Aouini ka kërkuar që të kalohet në seancë private.
Ndryshe, i njëjti ka filluar dëshminë e tij më 30 maj dhe e vazhduar edhe më 31 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) dhe mbrojtësit të viktimave.
Kurse, më 2 qershor ai ka filluar të merret në pyetje nga mbrojtja.
Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.