Me rastin e Ditës Botërore Kundër Duhanit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ishte i ftuar iu audiencës në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, raporton Fol Drejt.
“Motoja e sivjetme e Ditës Botërore kundër Duhanit, është “të prodhojmë ushqim, jo duhan”.
Rreth 350 milionë njerëz po përballen me pasiguri akute ushqimore e ndërkohë kultivimi i duhanit zë 3.2 milionë hektarë tokë pjellore, e cila do të mund të shfrytëzohej për kultura bujqësore, respektivisht për prodhimin e ushqimit.”, shkroi ministri Peci në Facebook.
Ai tha se një fermer që mbjell, kultivon dhe korr duhan mund të konsumojë pa vetëdije, nikotinë ekuivalente me 50 cigare në ditë dhe shtoi se rreth gjysmë milioni njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
“Kosovarët shpenzojnë në bazë vjetore afro 400 milion euro për duhan. Një barrë shumë e rëndë ekonomike për familjet me duhanpirës. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit. MBPZHR, respektivisht AUV, përmes inspektoratit të saj tani e disa muaj ka dinamizuar kontrollet e pirjes së duhanit në hapësira publike.”, u shpreh tutje Peci.
Në fund ai tha se për një periudhë prej fare pak muajsh, janë inspektuar mbi 4 mijë subjekte afariste, kurse inspektorët janë detyruar të shqiptojnë gjoba në 535 raste, në të gjitha regjionet e Kosovës. /FolDrejt/