Kiev/ Të paktën katër shpërthime kanë ndodhur në orët e para të së enjtes në kryeqytetin e Ukrainës. Raportohet se granatat ruse vranë 8 civilë afër qytetit Kharkiv.
Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për të drejtat e njeriut tha se 227 civilë janë vrarë në pesë ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës.
Sistemi bankar SWIFT ka njoftuar se më 12 mars do të përjashtojë nga rrjeti i tij global shtatë banka ruse, në linjë me sanksionet ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Trupat ruse kanë pushtuar qytetin Herson, në jug të Ukrainës, një javë pasi filloi lufta.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët më shumë se 1 milion persona janë larguar nga Ukraina për shkak të agresionit rus, shkruan The Guardian.
Kreu i kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Filippo Grandi tha:
“Në vetëm shtatë ditë ne kemi qenë dëshmitarë të eksodit të një milion refugjatësh nga Ukraina në vendet fqinje. Ka ardhur koha që lufta të marrë fund”, tha ai. Sipas OKB-së ky është eksodi më i shpejtë i refugjatëve gjatë këtij shekulli.
Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të “ndalojë menjëherë gjakderdhjen” dhe të tërheqë trupat rusë nga territori i Ukrainës, shkruan BBC.
Në deklaratën e saj, SHBA akuzoi gjithashtu Rusinë se ka nisur një sulm të plotë ndaj lirisë së medias dhe të vërtetës duke bllokuar aksesin në mediat e pavarura të lajmeve dhe duke ndaluar ato për të transmetuar informacione rreth pushtimit./FolDrejt/