Rina Kadiri, tha se të rinjtë po largohen nga Kosova duke emigruar në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian për shkak të kushteve jo të mira të krijuara për ta.
Me pyetjen “Kur bëhet mirë?” dhe disa valixhe të mbuluara me uniforma të profesioneve të ndryshme është shënuar në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë Dita Ndërkombëtare e Rinisë, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Ky aksion rrugor i organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR), ka për qëllim të përçojë shqetësimin e ikjes së të rinjve nga Kosova, me theks të veçantë profesionistëve.
Menaxherja e Programeve në organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Rina Kadiri tha se të rinjtë po largohen nga Kosova duke emigruar në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian (BE), për shkak të kushteve jo të mira të krijuara për ta.
“Këtë vit në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë jemi fokusuar në dukurinë e migrimit duke pasur parasysh që shumë të rinj po e lënë Kosovën, për arsye të ndryshme, kryesisht pse shteti i Kosovës nuk po u ofron mundësitë që duhet për të rinjtë dhe mbi të gjitha të drejtat e njeriut nuk respektohen”, theksoi Kadiri.
Në secilën valixhe është vendosur edhe një kod i cili mund të hapet përmes telefonit dhe më pas do të shfaqet historia konkrete e dikujt që ka vendosur të migrojë nga Kosova.
Nga Kosova, për shkak të pagave të ulëta në sektorin privat dhe papunësisë, mijëra të rinj emigrojnë drejt vendeve të BE-së.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind, ku krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind.
Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 48.6 për qind./FolDrejt/