Të paktën 32 persona kanë humbur jetën në Turqinë juglindore të shtunën në dy aksidente të ndryshme.
Gjashtëmbëdhjetë persona, duke përfshirë punonjës të urgjencës dhe gazetarë, mbetën të vdekur pasi një automjet u përplas në një vend ku më herët gjatë ditës kishte ndodhur një tjetër aksident, tha guvernatori rajonal Davut Gul nga provinca juglindore e Gaziantep. Si pasojë e aksidentit, të lënduar mbetën edhe 20 persona të tjerë.
“Rreth orës 10:45 të mëngjesit të sotëm, një autobus pasagjerësh u përplas këtu,” tha Gul, duke folur nga vendi i aksidentit në rrugën në lindje të Gaziantepit.
“Ndërsa brigada e zjarrfikësve, ekipet mjekësore dhe kolegët e tjerë po i përgjigjeshin aksidentit, një automjet tjetër u përplas 200 metra më pas. Makina e dytë rrëshqiti në këtë vend dhe goditi mjekët dhe të plagosurit që ndodheshin në tokë.”
Në një tjetër aksident, rreth 250 km në lindje në rrethin Derik të Mardinit, një kamion përplasi mjekët që po jepnin ndihmën e parë në një tjetër aksident.
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 29 të tjerë u plagosën si pasojë e aksidentit në Mardin, tha ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca, duke shtuar se tetë nga të plagosurit janë në gjendje kritike. /abcnews.al/