I njohur si “Mister Corona” Daniel Koch, i deleguari i deridjeshëm i BAG për koronavirusin, ka shkaktuar një sensacion me një aksion special ditën e parë të pensionimit të tij. 65-vjeçari është hedhur dhe ka notuar me kostum dhe kravatë në Aarenë e ftohtë në Bernë të hënën.
Ish-kreu i departamentit të Sëmundjeve të Bartshme në Zyrën Federale të Shëndetit Publik (BAG) ka publikuar dy video në llogarinë e tij në Instagram, përcjell albinfo.ch. Ai ka sqaruar se nën kostumin e zyrtarit kishte veshur një kostum zhytësish, që e mbronte atë nga të ftohtit.
Veç tjerash, Koch ka thënë se dëshiron të tregojë se lumi Aare është sërish i përshtatshëm për të bërë banjë në të.
Temperatura e ujit ishte vetëm rreth 14 gradë. Koch gjithashtu me këtë rast ka këshilluar të mos e imitonin aksionin e tij. Ai ka thënë se po e shijon kalimin në pension dhe ka porositur publikun të vazhdojë t`u përmbahet rregullave të mbrojtjes nga koronavirusi.