Një nënë ukrainase ndihet e trishtuar dhe e turpëruar për djalin e saj, për të cilin thotë se është një pilot i ushtrisë ruse që bombardon vendin e saj të lindjes.
Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, avioni luftarak i djalit të saj, majorit Alexei Golovensky , u qëllua nga ukrainasit disa ditë më parë dhe ai po mbahet rob në Mykolaiv, një qytet në jug të Ukrainës pranë Detit të Zi, qytet ky që është i rrethuar nga rusët.
Elena Golovenskaya shpërtheu në lot para kameras, duke zbuluar veprimet e të birit, për të cilat është e turpëruar por njëkohësisht e trishtuar. Nëna ukrainase nxitoi t’u kërkojë falje bashkatdhetarëve të saj pasi djali i saj ndjek urdhrat e presidentit rus Vladimir Putin.
Një video e publikuar nga ushtria ukrainase thotë se një avion luftarak Sukhoi SU-30SM u rrëzua mbi Mykolaiv më 5 mars dhe piloti u arrestua nga autoritetet ukrainase.
Majori rus Alexei Golovensky thuhet se u tha ukrainasve që e mbanin rob se ishte nisur nga Krimea dhe po kryente fluturime zbulimi në emër të forcave ajrore ruse.
Në videon e ngarkuar nga ushtria ukrainase në internet, piloti Golovensky shfaqet i gjunjëzuar në një fushë . Ai më vonë u mor në pyetje nga autoritetet ukrainase.