Ish-emisari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi në Administratën Trump, Richard Grenell, po qëndron në Tiranë.
Madje, ai e ka bërë të ditur se ditën në kryeqytetin shqiptar e nisi me vrapim, njofton Klankosova.tv.
“Vrapi i mëngjesit i së shtunës rreth Tiranës është një mënyrë e shkëlqyer për të nisur ditën”, ka shkruar ai në Instagram, bashkangjitur fotografive nga sheshi i Tiranës.
Richard Grenell u rikthye në vëmendje ditëve të fundit me deklaratat e tij që nxitën shumë reagime.
Ai, në një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit, më 13 korrik tha se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova pasi, sipas tij, në këtë mënyrë po e zgjat konfliktin.
Grenell beson se “dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ku përmendet njohja e pavarësisë së Kosovës nuk e zgjidh problemin”.
Ai po ashtu e fajësoi kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe BE-në për dështimin në arritjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.
Ish-i dërguari i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, dy ditë më vonë, bëri një deklaratë tjetër të fortë.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti nuk është lider i mirë dhe se të tjerët para tij kanë qenë më të mirë, duke e veçuar ish-presidentin Hashim Thaçi.
Madje, Grenell deklaroi se “evropianët nuk duhej ta vendosnin Hashim Thaçin në Hagë”./klankosova.tv/