Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka komentuar mungesën e Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës, shkruan Fol Drjet.
Për Zërin e Amerikës Escobar ka thënë se është zgjidhje e tyre dhe se, ata i kanë lutur që të bëhen pjesë e kësaj gare. E përkundër mungesës së tyre, rezultatet, sipas tij, do të jenë legjitime.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se ShBA-të do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato.
“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre, por, këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra, nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha Escobar.
Më tej Escobar ka thënë se bojkoti i Listës Serbe, nuk duhet të ndikojë as te themelimi i Asociacionit.
“Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet”, tha ai.
Sipas tij, marrëveshja e jashtëzakonshme e Ohrit, u ka hapur rrugë për pajtim dhe përmirësim të dyja shteteve, si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, dhe se kjo do t’iu ndihmojë të dyjave edhe në rrugën e integrimit./FolDrejt/