Anësori i Liverpoolit, Luis Diaz, ka pranuar se ëndërron për t’iu bashkuar një ekipi spanjoll në të ardhmen, shkruan Goal.com, përcjell Fol Drejt.
Kolumbiani ka qenë një anëtar i rëndësishëm i skuadrës së Jurgen Klopp që nga transferimi i tij në janar nga Porto, por nuk është paraqitur për Liverpool që kur pësoi një dëmtim në gju kundër Arsenalit më 9 tetor. Diaz ka një kontratë afatgjatë me Reds, por tani zbuloi se ai do të donte të provonte fatin e tij në La Liga nëse i jepet mundësia.
“Do të doja të luaja për një klub spanjoll që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e familjes sime, por është më shumë një ëndërr fëminore”, tha Diaz gjatë një interviste me revistën kolumbiane SoHo.
Megjithatë, ai shtoi se aktualisht fokusi i tij është tërësisht te Liverpool. “Tani mendoj vetëm për të ngritur trofe dhe për të bërë histori me Liverpoolin, i cili është një nga klubet më të mëdha në botë. Jam shumë mirënjohës për mundësinë që më kanë dhënë,” tha ai.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, së fundmi zbuloi se klubi katalanas ishte gjithashtu në ndjekje të anësorit në janar, por përfundoi duke humbur garën kundër Liverpool për shkak të situatës së tyre ekonomike. Gjigantët e La Ligës përfunduan duke nënshkruar me Raphinha nga Leeds në merkaton e fundit dhe arritën të vazhdojnë kontratën me Ousmane Dembele.
25-vjeçari po vazhdon rikuperimin e tij në Kolumbi pas një dëmtimi në gju dhe shpreson të kthehet në aksion për Liverpool-in pasi të rifillojë futbolli vendas pas Kupës së Botës në fund të dhjetorit. /FolDrejt/