Grupi i shtatë ekonomive më të mëdha do të bjerë dakord për më shumë se 18 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa takimet e ministrave të financave mbyllen sot, bëri të ditur ministri gjerman i Financave për Televizionin Bloomberg.
“Mendoj se është një sinjal shumë i mirë që vendet e G7 po qëndrojnë krah për krah me Ukrainën, sepse ata nuk janë duke mbrojtur vetëm veten, por po mbrojnë edhe vlerat tona”, tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, në një intervistë për Bloomberg, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen dhe liderë të tjerë folën këtë javë për nevojën që aleatët të mbledhin ndihmë shtesë të mjaftueshme për të ndihmuar Ukrainën të “ballafaqohet” me pushtimin rus.
“Të gjithë ne u zotuam të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbushur boshllëkun”, tha Yellen të enjten ndërsa ministrat përfunduan bisedimet e tyre të para dy ditore. “Ne do të bashkojmë burimet që u nevojiten”, tha ajo.
Ministrat e financave të G7 janë përballur gjithashtu me thellimin e inflacionit, shqetësimet e sigurisë ushqimore dhe efektet e luftës së Rusisë në Ukrainë gjatë bisedimeve të tyre.
Lindner u tha gazetarëve përpara takimit se Ukraina ka të ngjarë të ketë nevojë për “një numër dyshifror miliardë euro” gjatë muajve të ardhshëm.
Ndërsa ministrat e financave po takoheshin në Gjermani, SHBA-ja miratoi me shumicë dërrmuese pakon prej 40 miliardë dollarësh të ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën dhe aleatët e saj./FolDrejt/