Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, i është bashkangjitur radhës së figurave që reaguan pas rastit tragjik, ku një grua u vra në mënyrë brutale nga bashkëshorti i saj, shkruan Fol Drejt.
Rasti, sipas ministres Nagavci, bëhet edhe më i rëndë pasi gruaja e vrarë “ishte mësimdhënëse në një shkollë të Prishtinës.” Ministrja ka thënë se ajo do t’ju mungojë përgjithmonë nxënësve të saj.
Më poshtë postimi i plotë:
Kosova sot u trondit nga lajmi për vrasjen e një gruaje nga bashkëshorti i saj në Prishtinë.
Ky lajm i rëndë, erdhi në kohën kur në shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit po i dedikohej parandalimit të dhunës ndaj gruas, si pjesë e Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.
Këtë rast, e bën edhe më të rëndë fakti se kjo grua që u vra sot ishte mësimdhënëse në një shkollë të kryeqytetit dhe do të mungojë sot e përgjithmonë te nxënësit e saj.
Vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë. Prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin.
Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurtë vetëm si të barabartë dhe pa dhunë./FolDrejt/