Milan nuk arriti të vazhdonte të ishte pjesë në kompeticionet europiane, teksa është eleminuar që në fazën e grupeve të Champions League, duke u renditur në vendin e fundit në grupin B me vetëm 3 pikë.
I gjithë fokusi i “Rossonerëve” tashmë do të jetë në Seria A dhe Kupa e Italisë.
Legjenda e klubit, Paolo Maldini është i vetëdijshëm se duhen përforcime në klub në çdo repart për të bërë të mundur fitimin e një trofeu në futbollin italian.
Dëmtimi i mbrojtësit danez Simon Kjaer i ka vështirësuar gjërat për Milanin dhe për këtë Maldini e di se duhet gjetur zëvendësues.
“Nëse lëndohet një futbollist, është normale të mendohet për ta zëvendësuar. Edhe një lojtar i rëndësishëm si Kjaer mund të zëvendësohet, le të shohim se si. Nuk do të jetë e lehtë të gjejmë dikë që luan në ato nivele dhe me vazhdimësi. Jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë të përforcohemi në të gjitha repartet dhe ta shohim se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Maldini. /abcnews.al