Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka bërë të ditur se dëmet që janë shkaktuar nga shiu gjatë ditës së shtunë do të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë, transmeton Fol Drejt.
Këtë e ka bërë të ditur Peci përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook:
“Dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut, do të kompenzohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Vizitova sot Komunën e Gjakovës së bashku me zv. Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Agon Dobruna, për tu parë më nga afër me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet që mbizotëruan këtë fundjavë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të kësaj vizite, takova edhe Kryetarin Ardian Gjini, i cili më njoftoi me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve.
Si Ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompenzimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompenzohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse.
Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022” – ka shkruar Peci./FolDrejt/