Vendimi i 30 marsit i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për shtrenjtim 15.4% të energjisë elektrike, ka ngritur shqetësime në opinionin publik. Por Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka premtuar së fundi se do t’i mbështes familjet të cilat nuk shpenzojnë shumë, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri Kurti këtë premtim e bëri gjatë një takimi me kryetarët e komunave gjatë paradites së sotme.
Më saktë ai tha se do t’i subvencionojnë familjet që shpenzojnë deri në 800 kWh energji në muaj, ndërsa grupet e cenueshme do të kenë trajtim të veçantë.
“Mbështetja jonë ndaj qytetarëve do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë orë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet në asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë” – ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit rreth 9 milionë euro ka kushtuar renovimi i energjisë efiçiente në 70 ndërtesa publike, “duke e rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë.”
Kryeministri Kurti tha se masat e ndërmarra gjatë dimrit që iku, kanë dhënë rezultate “falë mbështetjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian (BE)”. Ato, sipas tij, kanë shumëfishuar përfitimet edhe për qytetarët edhe për bizneset.
Ua kujtojmë që me 30 mars Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, pat thënë se rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Ne konsiderojmë se nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm me energji, kostoja do të jetë shumëfish më e madhe sesa përqindja e propozuar. Ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”./FolDrejt/