Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka treguar pse ka dështuar takimi mes tij dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se takimi ishte paraparë të mbahej në tempullin e demokracisë në Kuvendin e Kosovës, dhe se ftesat u ishin dërguar që të tre liderëve të partive opozitare të ishin të pranishëm bashkërisht.
“Këtë kisha qëllim, por fatkeqësisht nuk arrita. LDK në përgjigjen e saj ka thënë se do të isha i mirëpritur në zyrat e tyre”, tha Begaj në një intervistë për emisionin “RTK PRIME”, në Televizionin Publik të Kosovës.
“Doja të bisedonin bashkë, si vëllai më vëllanë, dhe ftesa ime ishte e sinqertë për të gjithë, dhe doja që çdo takim dhe diskutim të bëhej në nivelin që i takon presidentit të republikës”.
Ndërkohë, nga LDK-ja në një prononcim për Telegrafin kanë thënë se shprehin keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë.
“Për dallim nga krerët institucional paraprak të Shqipërisë, presidentët e shkuar, kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj.
Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë.
LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, kanë thënë nga ky subjekt politik. /Telegrafi/