Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë në Serbi që dy qytetarët kosovarë që po mbahen në burgjet serbe t’i transferojë në Republikën e Kosovës, shkruan Fol Drejt.
“Javën e kaluar kam kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë në Serbi që dy qytetarët tanë t’i transferojë në Republikën e Kosovës. Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.”, shkroi Haxhiu në njoftimin e saj në Facebook.
Haxhiu theksoi se Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.
“Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.”, tha në fund Haxhiu. /FolDrejt/