Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se bazuar në kompetencat ligjore ka suspenduar përmbaruesin Irfan Kërçagu, raporton Fol Drejt.
“Bazuar në kompetencat ligjore, sot kam nënshkruar Vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor. Ministre e Drejtësisë jam zotuar në mbrojtjen e interesit publik dhe çdo vendim i imi do të jetë në linjë me këtë parim.”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Haxhiu theksoi se profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre.
“Duke pasur parasysh ankesat e qytetarëve dhe institucioneve ndaj përmbaruesve, i bëj thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje.”, shtoi në fund ajo. /FolDrejt/