Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka njoftuar se ka pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë e cila konfirmon se ky organ do të shqyrtojë kërkesën e tij për nisjen e hetimeve lidhur me masakrën në burgun e Dubravës, raporton Fol Drejt.
“Të dashur qytetarë,
Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre.”, shkroi Dugolli në Facebook.
Ai falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe tha se mbetet me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike. /FolDrejt/
