Donika Gërvalla ka thënë se nuk ka sinjale konkrete për ndonjë sulm të mundshëm ushtarak në Kosovë.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos ndjenjë panik, transmeton Fol Drejt.
“Ndikimi rus në rajon është kogja i madh dhe i rrezikshëm, dhe ai organizohet përmes Serbisë. Ne vazhdojmë të ndërgjegjësojmë partnerët dhe aleatët tanë se nuk kemi sinjale konkrete për ndonjë sulm ushtarak të kujtdo qoftë në Kosovë, por që duhet të jemi shumë vigjilent dhe të përgatitur sepse asnjëherë nuk mund të dimë se çfarë do të ndodh. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët dhe aleatët tanë që gjendja në rajonin tonë të vëzhgohen me kujdes të jashtëzakonshëm në mënyrë që të mos vihemi para fakteve të kryera që mund të na qonin në probleme serioze. Në Kosovë nuk ka nevojë askush të ndjej panik, sepse nuk ka asnjë parashenjë që ndodhemi në prag të një konflikti të armatosur me askënd”, tha Gërvalla.
Gërvalla bëri të ditur se kanë kërkuar nga KFOR-i mbylljen e hapësirës së lartë ajrore.
“Në bazë të marrëveshjes së Kumanovës një gjë e tillë nuk është kompetencë e Kosovës por e komandantit të KFOR-it dhe na është thënë që KFOR-i së bashku me NATON janë duke shqyrtuar këtë kërkesë tonën. Na është premtuar nga KFOR-i dhe përfaqësuesit e SHBA se këtë kërkesë tonën do ta marrin seriozisht dhe presim rezultate ditëve në vijim”, tha Gërvalla.
Ministrja më tej shtoi se si Qeveri e Kosovës janë duke bërë përpjekjet për të ndihmuar në çfarëdo forme shtetin e Ukrainës dhe popullin e saj.
Ajo përmendi edhe gatishmërinë që kanë treguar si Qeveri që të pranojnë 20 gazetarë ukrainas dhe familjet e tyre në Kosovë:
“Jemi shumë të ndërgjegjshëm që kontributi ynë është modest. Në bashkëpunim me shoqatat e gazetarëve ndërkombëtare dhe vendore kemi treguar gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë ukrainas së bashku me familjet e tyre, që përveç strehimit tu krijojmë edhe kushte për të ushtruar profesionin e tyre. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që krahas betejës ushtarake shumë e madhe është edhe beteja informative, e ajo bëhet kryesisht përmes lajmeve të rreme ku Rusia është kampion.”
Ministrja e MPJD-së theksoi se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të paraqes kërkesën për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina.
“Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të dorëzoj kërkesën për marrjen e masave konkrete që të ofrohet ambienti i përshtatshëm dhe të shikojmë mundësitë për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. Qeveria do të ndaj një fond të caktuar për t’ju bashkangjitur ndihmave humanitare ku janë përfshirë e gjithë bota. Do të zgjedhim një shoqatë humanitare vendore që me produkte vendore do të ndihmojë të zbusë krizën humanitare në Ukrainë”, u shpreh ajo.
Gërvalla gjithashtu theksoi se do të pezullojnë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës:
“Pra qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë do të detyrohen të lajmërohen të organet kompetente për të marrë një leje qëndrimi. Kemi disa ushtarë ukrainas që dëshirojnë ti sjellin familjet e tyre ata janë në kuadër të KFOR-it dhe këtë jemi duke e shqyrtuar”./FolDrejt/