Kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Mauit, Herman Andaya, dha dorëheqje pas pretendimeve për neglizhencë në zjarret pyjore në Hawaii të SHBA-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Andaya njoftoi se ka lënë detyrën e tij, pas pretendimeve për neglizhenca, të tilla si mosndërprerja e rrymës në shtyllat e energjisë elektrike dhe mosrënia e sirenave të paralajmërimit për fatkeqësi lidhur me zjarret pyjore në Hawaii në të cilat kanë humbur jetën 111 persona.
Zyrtarët e rajonit Maui në një postim përmes Facebookut, njoftuan se kryetari i bashkisë së Mauit, Richard Bissen, ka pranuar dorëheqjen e Andayas në të cilën ai paraqet arsye shëndetësore.
Edhe Bissen në një deklaratë me shkrim vuri në dukje se në këtë pozicion do të ngarkojë menjëherë me detyrë një person.
Ndërkaq, Prokurorja e Përgjithshme e Hawaiit, Anne Lopez, në një deklaratë për shtyp tha se një komision “i pavarur dhe i paanshëm” do të vlerësojë ndërhyrjen e qeverisë ndaj zjarrit dhe se vlerësimi në fjalë mund të zgjasë me muaj.
Pretendimet për neglizhencë në zjarre
Andaya, në një konferencë për shtyp të mbajtur më 16 gusht lidhur me zjarret pyjore, iu përgjigj pyetjeve lidhur me pretendimet se në zjarre “ka pasur neglizhencë dhe nuk janë marrë masat e nevojshme”, si mosndërprerja e rrymës në shtyllat e energjisë elektrike dhe mosrënia e sirenave të paralajmërimit për fatkeqësi në ishullin Maui kur filluan zjarret pyjore.
Kur u përmend “mospërdorimi i sirenave”, një nga pretendimet në fjalë, Andaya u shpreh se sistemi i sirenave të ishullit është projektuar më shumë për cunami dhe jo për zjarret pyjore dhe se sirenat nuk janë pjesë e protokollit për ndërhyrje ndaj zjarrit.
Andaya tha se në rast se sirenat do kishin rënë, populli do të përpiqej të shkonte drejt vendeve më të larta dhe se ai nuk është “i penduar” për mosrënien e sirenave në momentin e ngjarjes.