Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra në Prizren ka dorëzuar sot kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj Shaqir Totajt dhe vartësve të tij në komunën e Prizrenit, ku sipas saj, e kanë degraduar arsimin në Komunën e Prizrenit përmes zgjedhjes së drejtorëve partiakë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
”Procesi i zgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore publike në Komunën e Prizrenit është përcjellë me parregullsi të shumta, të cilat e kanë dëmtuar në masë të madhe integritetin dhe kredibilitetin e sistemit arsimor”, thuhet në njoftimin e lëshuar, përcjell klankosova.tv.
”Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, prindërve dhe shoqërisë civile për proces jotransparent e të kundërligjshëm dhe duke marrë për bazë parimin themelor të zgjedhjes së drejtorëve, atë të depolitizimit dhe parimin e ligjshmërisë në proces që parashihen me udhëzimet në fuqi, përmes këtij kallëzimi penal, kërkon që organet kompetente të shtetit, të ndërmarrin masat e duhura penale-juridike për të zbardhur të vërtetën me rastin e zgjedhjes së drejtorëve në shkollat e Komunës së Prizrenit”.
”Qeverisja e re komunale çdo ditë e më shumë po e degradon qytetin tonë në çdo aspekt, andaj lidhur me këtë iu drejtohemi qytetarëve, atyre që iu mohohen të drejtat ligjore për shkak të veprimeve klienteliste dhe nepotiste të këtij pushteti, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm shoqëror që të veprojmë bashkërisht për të ndalur këtë degradim dhe për të detyruar organet komunale të veprojnë në bazë të ligjit dhe konform interesit publik gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre”, theksohet, mes tjerash, në njoftimin e VV-së, përcjell klankosova.tv.