Luboteni ka peshën e njëjtë, siç e ka Reçaku për shqiptarët e Kosovës apo Srebrenica, siç e ka për boshnjakët myslimanë të Bosnjës. Është vendemërtim, që mbi supet e veta mban dëshminë e madhe historike të represionit sistematik shtetëror dhe policor maqedonas përgjatë dekadave të shumta ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që shpesh ka qenë në kufijtë e gjenocidit, që para Luftës së Dytë Botërore dhe nuk përfundoi as me luftën e vitit 2001!
Shkruan: Sefer Tahiri
Luboteni, fshat shqiptar etnik, i cili gjendet rreth dhjetë kilometra larg Shkupit ka përjetuar golgotën e vërtetë të konfliktit të armatosur të vitit 2001. Ky toponim vendbanimi nuk është vetëm gjeografik, por edhe historik, ndërsa gjeneratat e reja do ta mësojnë në lëndën e historisë, në pjesën e periudhës historike bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut. Historia e Lubotenit të vitit 2001 është edhe rast studimi për ata që studiojnë të drejtën publike ndërkombëtare.
Luboteni – dëshmi e luftës së drejtë të shqiptarëve
Luboteni është simbol i luftës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, meqë e nxjerr në syprinën globale si të drejtë, pasi pikërisht përmes tij u dëshmua se forcat shtetërore maqedonase kanë bërë krim të luftës, të cilin verdikt e ka miratuar Gjykata e Hagës.
Luboteni ka peshën e njëjtë, siç e ka Reçaku për shqiptarët e Kosovës apo Srebrenica, siç e ka për boshnjakët myslimanë të Bosnjës. Është vendemërtim, që mbi supet e veta mban dëshminë e madhe historike të represionit sistematik shtetëror dhe policor maqedonas përgjatë dekadave të shumta ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që shpesh ka qenë në kufijtë e gjenocidit. Represion ky që daton para Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, por sidomos pas vitit 1945, në periudhën e errët të komunizmit “të egër” antishqiptar, duke vazhduar me proceset e shumta të montuara policore – politike, edhe pas demokratizimit të shoqërisë, në vitet 90 – ta të shekullit të kaluar, që fillojnë me ngjarjet e Bit Pazarit dhe nuk përfundojnë as me luftën e vitit 2001!
Më 12 gusht të vitit 2001 në Luboten ka ndodhur masakër vërtetë, e cila ka shkelur të gjitha ligjshmëritë e luftës dhe të drejtës humanitare. Në tentim, gjoja për të zbuluar celulat e ish – Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në këtë fshat, forcat policore – ushtarake shtetërore të Maqedonisë vranë dhjetë shqiptarë të pafajshëm. U vra 6 – vjeçari Erxhan Aliu dhe nëntë banorë të tjerë: Dalip Murati, Muharem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Forcave shtetërore, ngjashëm me skenarët që zbatoheshin nga forcat policore serbe në Kosovë, nuk u mjaftuan këto vrasje, por ushtruan edhe terror mbi 100 banorë të tjerë lubotenas, të cilët u arrestuan, ndërsa dogjën 14 shtëpi.
Tarçullovski u dënua, Boshkovski u lirua
Këshilli gjyqësor i Gjykatës për Krime Lufte në Hagë, i kryesuar nga gjykatësi Kevin Parker, edhe pse miratoi dënim gjysmak mbi masakrën e Lubotenit, meqë nuk e dënoi me burg ish ministrin e policisë Boshkovski, simbolikisht i dha të drejtë rezistencës së armatosur të shqiptarëve. Johan Tarçullovski, pjesëtar i policisë speciale, që organizoi dhe menaxhoi me aksionin famëkeq në Luboten e mori dënimin e merituar. Tribunali në korrik të vitit 2005 e dënoi me 12 vjet heqje lirie, por pas 8 vjetësh u la i lirë.
Sipas aktakuzës Johan Tarçullovski, i cili kryente detyrën e inspektorit shoqërues në Trupën e Sigurimit të Presidentit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në cilësinë e komandantit të njësisë, planifikoi dhe organizoi sulmin në Luboten dhe personalisht mori pjesë në sulm. Akuza e ngarkoi Tarçullovskin si bashkërendues në armatosjen e anëtarëve të rregullt dhe rezervistë të njësisë së tij policore, kërkoi dhe mori mbështetje logjistike, materiale dhe në armë zjarri si dhe përcaktoi kohën, metodën, mënyrën, qëllimet dhe caqet, dhe urdhëroi policinë që të sulmojë Lubotenin.
I akuzuari tjetër, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski u lirua nga akuzat e Gjykatës së Hagës, ndërsa në burgun e Sheveningenit qëndroi tre vite të plota. Akuzat ndaj tij përfshinin vrasje, shkatërrim të papërligjur të qyteteve, qytezave ose fshatrave dhe trajtim mizor. Lube Boshkovski akuzohej nga Tribunali i Hagës për vrasje, shkatërrim të papërligjur të qyteteve, qytezave ose fshatrave dhe trajtim mizor. Sipas aktakuzës Boshkovski dinte ose kishte arsye të dinte se krimet ishin kryer nga vartësit e tij gjatë sulmit në fshatin Luboten, mirëpo ai nuk bëri asgjë për t’i ndëshkuar keqbërësit. Boshkovski nuk nisi asnjë hetim ndaj anëtarëve të njësisë policore të Johan Tarçullovskit, të cilët ishin përgjegjës për trajtimin mizor të banorëve të Lubotenit.
Organizatat ndërkombëtare si Amnesti Intershenëll dhe Human Rajts Uoç kishin dhënë prova të mjaftueshme, por Gjykata e Hagës la përshtypjen e hidhur se vendimi i saj mbi Lubotenin më shumë ishte politik, se sa juridik – gjyqësor.
Kjo për lubotenasit ishte edhe një tragjedi në lëkurën e tyre! Në momentin kur kanë dëgjuar nga Tribunali i Hagës se ish ministri Boshkovski shpallet i pafajshëm, të gjithë lubotenasit ishin me lot në sy. Imazhet e (pa) drejtësisë së Tribunalit, nuk mund tua lenin shpirtin e qetë, meqë atyre iu shfaqeshin imazhet e tragjedisë së përgjakshme të 12 gushtit. Ndjenë shqetësim, pezëm dhe dëshpërim, pasi në vete thellë sikur për herë të dytë përjetuan gjithë mizorinë e vitit 2001! Njëri nga ata ishte Qani Jashari, të cilit i ishin vrarë djemtë Kadriu dhe Bajrami. “Të gjithë janë bërë sy e veshë dhe presin…Shtangia që zgjatë disa sekonda, ndërpritet me ndezjen e cigares dhe thithjen e thellë të tymit. Mosbesim në momentin kur Boshkovski u shpall i pafajshëm. Nuk u besonin dot veshëve të tyre.”, shkruante gazeta “Lajm” në shkrimin me titull kuptimplotë dhe domethënës “Masakra e gjysmë – dënuar” për të shtuar se “Babai i tyre, Qaniu, nuk fliste fare. Atij sikur i ka ikur goja. Si ka mbetur më asnjë fjalë për të thënë. I strukur në qoshen e tij ai nuk dëshironte të thoshte më asnjë fjalë. Kurrë s’ia kish marrë mendja se Haga do ta shpallte të pafajshëm këtë njeri.”
Ndërsa, nga ana tjetër, pjesa më e madhe e maqedonasve etnikë shfaqën zemërim dhe pakënaqësi ndaj akuzave dhe vendimit të Tribunalit të Hagës, pasi sipas tyre vendimi ishte i “njëanshëm”.
Ish kryeministri Vllado Buçkovski kishte deklaruar se “Nëse Tribunali i Hagës bën aktakuzë vetëm kundër rastit të Lubotenit, tregon një pasqyrë jo të plotë të ndodhive gjatë konfliktit të vitit 2001.” Vendimi i Hagës për Lubotenin fuqizoi zërin e elitës politike dhe intelektuale, e cila kërkonte baraspeshë etnike në trajtimin e luftës në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar procedimin e rasteve, në të cilat akuzoheshin ish drejtues dhe ish pjesëtarë të UÇK – së.
Që të mos lihen fare të qetë lubotenasit, nuk kujdesej vetëm partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, por edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. VMRO – DPMNE-ja, në vitin 2013, Tarçullovskit, kur u lirua nga Haga i organizoi pritje “heroike”, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 e kandidoi dhe i siguroi mandat të deputetit, edhe atë pikërisht në njësinë e dytë zgjedhore, në të cilën graviton Luboteni. Gjatë tetë viteve sa ka qëndruar në burg, qeveria e Gruevskit i ka paguar 5.000 euro në muaj (12 paga mesatare) nga rezervat e buxhetit apo gjithsej 480 mijë euro! Dokumenti mbi pagesën e këtyre mjeteve financiare u publikua në vitin 2018, ndërsa është firmosur nga ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski në 22 shkurt të vitit 2012.
Nga ana tjetër, ndonëse i akuzuar dhe i dënuar padrejtësisht në rastin “Tortura”, një proces i montuar nga klanin i ish kryeministrit Gruevski, Lube Boshkovski, në qeverinë e re të Zoran Zaevit, mori pozitën e këshilltarit kryeministror për investime të huaja, gjë që shkaktoi habi tek një pjesë e madhe e shqiptarëve, të cilët mbështetën konceptin e ri politik, të promovuar nga socialdemokratët nën parullën “Shoqëri për të gjithë”.
Boshkovski dhe Tarçullovski, të cilët ishin në Hagë, u shpërblyen nga partitë politike maqedonase, edhe pse ishin akuzuar, e më pas njëri prej tyre ishte i dënuar, për një vepër, që është në kundërshtim me të konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe “konventat e luftërave”. Në këtë mënyrë, dëshmuan se autorët e veprave kundër – shqiptare gradohen me grada politike, sidomos, në tentim për t’i dëshmuar opinionit publik maqedonas se me këto veprime, Boshkovski dhe Tarçullovski nuk janë kriminelë lufte, por patriotë dhe atdhetarë të devotshëm maqedonas. Kjo gjithashtu ishte përpjekje e piramidës pushtetare, për të vendosur peshore politike në raport me amnistinë e rasteve të Hagës, në të cilat ishte e implikuar pala shqiptare, që ishte pjesë e luftës së vitit 2001.
Rastet e amnistuara të Hagës
Në janar të vitit 2008, Haga i ktheu gjykatave në Maqedoninë e Veriut katër raste nga konflikti i vitit 2001, pasi për këto çështje nuk kishte prova të mjaftueshme për t´u shqyrtuar nga gjykata ndërkombëtare. Rastet nuk u proceduan as nga gjykatat vendore. Instituti për Raportim të Luftës dhe Paqes shkruante se autoritetet maqedonas kanë nguruar të fillojnë një hetim serioz mbi këto raste, duke e parë këtë shumë sensitive dhe problematike, pasi do të përfshinte diskutimin e veprimeve të ish luftëtarëve, të cilët janë anëtarë parlamenti.
Katër rastet e Hagës, në korrik të vitit 2011, u mbyllën me Ligj për Amnisti, i miratuar nga partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO -DPMNE dhe BDI. Rasti i parë kishte të bëjë me dhjetë individë nga lidershipi i UÇK-së, të cilët dyshoheshin të kenë marrë pjesë në kryerjen e krimeve. Rasti tjetër ka të bëjë me një varrezë masive, ku supozohet se gjenden kufomat e 12 maqedonasve të humbur nga Tetova. I treti kishte të bënte me rrëmbimin dhe torturimin e disa punëtorëve të ndërtimit “Mavrova”. Ndërsa rasti i fundit ka të bëjë me mbylljen e pendës së Likovës, veprim ky që në vitin 2001 la qytetin e Kumanovës pa ujë të pijshëm për disa javë.
Amnistia e dakorduar mes palëve politike nga vëzhguesit politikë atë botë u komentua si lëshim pe nga partia e djathtë maqedonase në pushtet ndaj partisë shqiptare me qëllim të minimizimit maksimal të kërkesave të “mëdha” politike – etnike të shqiptarëve. Kështu edhe ndodhi, pasi qeverisja e VMRO- DPMNE-së dhe BDI-së ofronte zgjidhje gjysmake për çështjet etnike, siç ishte për shembull përdorimi i gjuhës shqipe. Ndërsa në mënyrë konstante zbatonte programin qeveritar, i cili ishte njëetnik, njëfetar dhe mbi të gjitha njëpartiak!/Shenja/